Është një gjë mjaft njerëzore të mendosh për vdekshmërinë tonë, veçanërisht kur bëhet fjalë për perspektivën se si mund të ndodhë.
Disa mund të jenë të shqetësuar për vdekjen në gjumë, por fatmirësisht, nëse nuk keni një gjendje të veçantë shëndetësore, mundësia që kjo të ndodhë është relativisht e ulët. Ka një sërë arsyesh pse dikush mund të vdesë në gjumë dhe lidhen me tre nga organet tona më të rëndësishme.
“Vdekja në gjumë zakonisht lidhet me zemrën, mushkëritë ose trurin”, shpjegoi Dr Milind Sovani, një konsulent në mjekësinë e frymëmarrjes në “Nottingham University Hospitals NHS Trust”, duke folur për “Newsweek”.
Kur jemi në gjumë, ne kemi më pak gjasa të jemi në gjendje t’i përgjigjemi sinjaleve që mund të tregojnë se diçka nuk është në rregull me këto organe.
“Nëse jam në këmbë dhe kam një pauzë prej 10 sekondash në rrahjet e zemrës sime, do të rrëzohem dhe do të humbas mendjen dhe do të bëj një goditje të fortë dhe dikush do ta dëgjojë atë. Kur jeni duke fjetur, thjesht nuk mund t’i përgjigjeni vetes dhe simptomave tuaja”, tha kardiologu Jack Flyer për “The wall Street Journal (WSJ)”.
Shkaku më i zakonshëm lidhet me zemrën. Sipas Sumeet Chugh, drejtor mjekësor i Qendrës së Ritmit të Zemrës “Cedars-Sinai”, arresti i papritur kardiak (SCA) është përgjegjës për 90 për qind të vdekjeve të papritura gjatë gjumit, e njohur edhe si vdekja e natës, raporton ËSJ. Njerëzit në rrezik më të lartë nga SCA përfshijnë ata me sëmundje të arterieve koronare, një zemër të zmadhuar ose me rrahje zemre të çrregullta (shpesh një që është e shpejtë, e quajtur edhe fibrilacion ventrikular).
SCA është kur zemra papritmas ndalon së rrahuri, e cila nga ana tjetër ndalon rrjedhjen e gjakut në organet kryesore dhe mund të rezultojë në vdekje pa trajtim të menjëhershëm.
Nga të gjitha vdekjet e tilla nga SCA, 22 për qind ndodhin midis orës 22:00 dhe 6 të mëngjesit, me gratë me më shumë gjasa që të preken gjatë kësaj kohe.
Pastaj janë edhe problemet me frymëmarrje dhe sëmundjet e trurit ato që mund të çojnë në vdekje në gjumë.
Si mund të menaxhohen rreziqet?
Për ata me gjendje shëndetësore që mund të rrisin rrezikun e vdekjes gjatë gjumit, rekomandohet të flisni me një mjek, i cili do të jetë në gjendje të marrë parasysh faktorë të tillë si stili i jetesës dhe historia familjare. Kur flasim për të gjithë të tjerët, sipas Chugh, rreziku i vdekjes së papritur është relativisht i ulët.
Për ta mbajtur këtë rrezik të ulët, mjekët rekomandojnë të kujdeseni mbi shëndetin tuaj, të bëni gjumë dhe stërvitje të mjaftueshme dhe të mbani një dietë të shëndetshme.