Partia Socialiste po zhvillon në sheshin “Skënderbej” aktivitetin përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë për zgjedhjet e 25 prillit.
Luljeta Bozo, që udhëheq listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës ka ngritur në këmbë të gjithë personat të pranishëm në sheshin Skënderbej.
Bozo tha fjalën e saj, se si gjyshe dhe shkencëtare ajo uron që vota në zgjedhjet e 25 prillit të shkojë në drejtimin e duhur duke uruar fitoren e të majtës.
Në përfundim të fjalës, kryeministri Edi Rama nxitoi që t’i jepte ndihmën e parë që të ulej nga podiumi.
Jam krenare për këtë brez që ka energji dhe pjekuri për të qenë këshilltar për të gjitha fushat e jetës tonë. Ju ftoj të gjithëve të votoni me 25 prill sepse jemi të lirë të lëvizim. Jemi në fund të fushatës dhe mendoj se e kemi bërë shumë qytetare, duke respektuar rregullat ligjet, duke vënë në qendër të vëmendjes shëndetin e njeriut dhe mirëqenien e tij.
Fushata jonë ka qenë brenda të gjithë rregullave u shpreh profesoresha e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ajo shtoi se duhet të kemi gjithmonë në vëmendjen tonë që të respektojmë njëri-tjetrin, gruan nënën, motrën, brezat e vjetër, të rinjtë dhe të gjithë ata që do të cojnë përpara vendin tonë.
Si gjyshe dhe shkencëtare mendoj se nuk duhet të reshtim në asnjë moment punën tonë që të vijojmë me rindërtimin e shtëpive, të mposhtim armikun e padukshëm, të ndërtojmë porte e aeroporte që fëmijët tanë, nipërit e mbesat të na gëzojnë në Shqipërinë tonë.
“Edhe një fjalë të fundit si gjyshe dhe shkencëtare, mendoj se vota jonë është shumë e rëndësishme, është e shenjtë, individuale dhe duhet të shkojë në drejtimin e duhur, duhet të shkojë PS që është forca më progresiste në vendin tonë dhe në këtë mënyrë do të jemi të qetë që kemi bërë detyrën tonë ndaj vendit dhe familjes tonë. Fitore!”- u shpreh Bozo
Ndërkohë Partia Demokratike do ta zhvillojë nesër tubimin përmbyllës elektoral të kryeqytetit, në po të njëjtën orë të pasdites. Përfaqësues të Selisë Blu pohuan se të premten në 18:00 në sheshin Nënë Tereza, opozita organizon aktivitetin përmbyllës të fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit.