Këshilli për Legjislacionin shqyrtoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 48/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit”. Në mbledhjen ku opozita mungoi, relatori Toni Gogu lexoi mendimin juridik që shërbimi i Kuvendit i ka paraqitur këshillit.
Vendimi 48 i Gjykatës Kushtetuese ka marrë në shqyrtim ndryshimet që ne i bëmë rregullores së Kuvendit, për sa i përket asaj që ne i quajmë një rend i shenjtë në veprimtarinë e Kuvendit, ku drejtpeshohen liria e shprehjes nga njëra anë, dhe disiplina e Kuvendit e sjelljes së deputetëve nga ana tjetër, e cila siguron atë që unë e quajta “rend të shenjtë”, rend të paprekshëm, rend të nderuar nga të gjithë ne.
Në datën 6 dhjetor 2023, së bashku me një kolege kemi propozuar ndryshimet sa i përket masave disiplinore, duke u ballafaquar me cenimin e paprecedentë të këtij rendi të shenjtë të Kuvendit. Më 14 dhjetor 2023 u miratuan këto ndryshime nga Kuvendi.
Me kërkesën e një grupi prej 45 deputetësh të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues, pra jo më pak se 1/5-a, Gjykata Kushtetuese u njoh me kërkesën e deputetëve për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese në një seancë plenare të datës 12 mars 2024 e mori në shqyrtim dhe në përfundim vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës.
Sa i përket cënimit të parimit të demokracisë përfaqësuese se si liria e shprehjes së deputetëve të cilët përfaqësojnë aty demokracinë dhe përfaqësojnë qytetarët që i kanë zgjedhur dhe ata në këtë përfaqësim janë të pakufizuar në lirinë e tyre, pra ata mund të bëjnë veprime deri në djegie të sallës së Kuvendit, deri në ndezjen e instrumenteve piroteknikë, pra të ndezin zjarr fizik, jo zjarr mendimesh dhe zjarr idesh, Gjykata Kushtetuese thotë: “Nga njëra anë debati parlamentar karakterizohet përgjithësisht nga vetë disiplina dhe respektimi i rregullave të sjelljes, dhe nga ana tjetër veprimtaria e deputetit duhet të përshkohet gjatë gjithë kohës që ai e ushtron këtë funksion nga përgjegjshmëria, nga ndershmëria dhe nga korrektesa”.
Gjykata ka theksuar se megjithatë gjatë debateve të vështira mund të shfaqen sjellje që cenojnë funksionimin e duhur të punës parlamentare, e cila është arsye e vlefshme për vendosjen e sanksioneve disiplinore. Në këtë kuptim një sanksion disiplinor mund të vendoset për gjuhë ose sjellje që kërcënon ose vë në rrezik dinjitetin e Kuvendit, që është një nga vlerat përbërëse të rendit parlamentar.
Gjykata ka thënë, edhe pse Kuvendi, parimisht, e ka mandatin kushtetues që të ndërhyjë për rregullimin dhe të atyre çështjeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e sjelljeve dhe veprimeve që përbëjnë shkelje disiplinore, parimi i proporcionalitetit kërkon që ndërhyrja të jetë në gjendje të arrijë vetëm ato objektiva të ligjshëm që synohen, pa shkuar përtej asaj që është e nevojshme në këtë drejtim.
Pra, Gjykata thotë që janë tashmë masat disiplinore të mjaftueshme për sa i përket respektimit të parimit të demokracisë. Sa i përket përmbajtjes së nenit 4 të Rregullores, Gjykata ka thënë se “masat e shtuara disiplinore të përjashtimit nga pjesëmarrja në Komisione ose në seancë plenare deri në 30 ditë ose 60 ditë nuk janë proporcionale. Megjithëse nuk janë proporcionale per se’ dhe se përcaktimi i këtij afati kohor 30 ose 60 ditë përfshihet brenda autonomisë së Kuvendit”.
Gjykata ka thënë është Kuvendi autonom për të vendosur rregulla, por Gjykata thotë që rregullat që janë vendosur në paragrafin e parë të nenit 65 të shkronjës a) tek pika 6, me ato të cilët janë tek pika 1 e shkronjës a), janë të njëjta dhe në këtë mënyrë krijon paqartësi. Pra, në këtë drejtim paqartësia e përmbajtjes së shkronjës a), të pikës 6, të nenit 65 duke parashikuar një masë më të ashpër për një shkelje për të cilën në shkronjën a) të pikës 1, të po këtij neni parashikohet një masë më e butë, është e tillë që çon në arbitraritet në zbatimin e saj. Për rrjedhojë e bën të papajtueshme me parimet kushtetuese.
Në teori krijon një hapësirë arbitrariteti. Por në asnjë vend Gjykata nuk ka thënë që kur ndizet zjarri dhe kur digjen salla e Kuvendit, kjo qenka e ligjshme. Në memon që shërbimi juridik i Kuvendit i ka paraqitur Këshillit, vlerësohet se dispozitat e shfuqizuara nuk krijojnë vakuum dhe për rrjedhojë sugjeron se nuk është i domosdoshëm riformulimi i tyre.
I pyetur nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj se cili është vendimi final në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Gogu u shpreh:
Ky kuvend duhet të zbatojë katërcipërisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, siç ka bërë gjithmonë. Kësaj radhe ne zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetues, e cila ka shfuqizuar ato dispozita të cilat krijonin një paqartësi.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj arsyetues ka thënë: “Kuvendi është autonom, Kuvendi vendos për mënyrën se si disiplinon punimet e veta, sepse disiplina duhet të drejtpeshohet me lirinë e shprehjes. Dhe kur liria e shprehjes e tejkalon disiplinën e deputetëve, atëherë kjo gjë duhet të drejtpeshohet”. E ka thënë Gjykata Kushtetuese këtë gjë, Kuvendi ka kompetencat e duhura. Kuvendi e ka bërë këtë gjë në masat e tjera, për këtë arsye ato qëndrojnë dhe ne duhet thjesht të zbatojmë Rregulloren, ashtu siç na e ka lënë Gjykata Kushtetuese duke shfuqizuar atë dispozitë që Gjykata Kushtetuese ka çmuar që është e paqartë dhe që krijon mundësi arbitrariteti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet plotësisht dhe pjesa e mbetur e Rregullore e disiplinimit të punimeve të Kuvendit zbatohet pa atë dispozitë që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dhe ne ndërkohë vazhdojmë ta ruajmë atë peshore midis lirisë së shprehjes dhe disiplinimit të sjelljes tonë.
Në fund, drejtuesja e Këshillit, Etilda Gjonaj hodhi për votim miratimin e raportit, për t’ia paraqitur Kryetares së Kuvendit. Raporti i miratuar vlerëson se me propozimin e relatorit, meqenëse nuk krijohet vakuum, nuk është i domosdoshëm riformulimi i dispozitave. Ndërsa shqyrtimi i vendimeve 52 dhe 54 të Gjykatës Kushtetuese, u shty për në mbledhjen e ardhshme, për shkak të mungesës së relatorëve, Eduard Shalsi dhe Ermonela Felaj.