Bota

Protestuesit në Izrael ndërprenë fjalimin e kryeministrit Netayanhu!

Protestuesit ndërprenë fjalimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një ceremonie të mbajtur sot për të kujtuar viktimat e sulmit të vitit të kaluar të kryer nga Hamasi ndaj Izraelit. Hamasi është grupi palestinez i shpallur organizatë “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian. Protestuesit iu drejtuan me fjalët: “të kesh turp”, si dhe shkaktuan zhurmë, duke e detyruar Netanyahun që të ndërpriste fjalimin, pak minuta pasi nisi të fliste.

Ky aktivitet në nderim të viktimave të sulmit të 7 tetorit 2023, është transmetuar drejtpërdrejt në mbarë Izrealin. Shumë izraelitë fajësojnë kryeministrin Netanyahu për dështime që i mundësuan Hamasit të kryejë sulmin në jug të Izraelit tetorin e vitit të kaluar. Ata e mbajnë përgjegjës shefin e qeverisë izraelite edhe për dështimin për të liruar pengjet e mbetura, që mbahen në Gaza nga Hamasi.

Gjatë sulmit që Izraeli e krahasoi me 11 shtatorin e 2001-shit në Amerikë, Hamasi vrau afro 1 mijë e 200 persona, shumica civilë e rrëmbeu 250 të tjerë. Besohet se 100 pengje ende gjenden në Gaza dhe shumica mund të kenë vdekur. Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare e Izraelit në Gaza janë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe do të kthejë pengjet.

Raportohet se sulmet më të fundit ajrore izraelite në veri të Gazës vranë të paktën 22 persona, shumica gra dhe fëmijë, siç njoftuan sot zyrtarët palestinezë. Shërbimi i Emergjencave pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza e që drejtohet nga Hamasi, u shpreh se “11 gra dhe dy të mitur ishin në mesin e 22 personave që gjetën vdekjen gjatë një sulmi në orët e vona të së shtunës në Beit Lahija, në veriun e Gazës”.

Burime zyrtare të këtij dikasteri, po ashtu bënë të ditur se 15 vetë u plagosën, duke vënë në dukje se numri i viktimave mund të rritet. Shumica e tyre ishin anëtarë të tri familjeve. Ushtria izraelite deklaroi se ka kryer sulme që i përshkroi si “preçize” ndaj militantëve të Hamasit në një ndërtesë në Beit Lahija, duke theksuar edhe se ka “ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat në mesin e civilëve” por burime palestineze deklarojnë se kjo “nuk ka ndodhur”.