Rajoni

Protestë në veriun e Kosovës pas arrestimit të dy politikanëve serbë!

Serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut po protestojnë para stacionit policor në këtë komunë, pas arrestimit të dy politikanëve serbë. Në mesin e protestuesve ka edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Aleksandar Arsenijeviç nga Partia Demokracia Serbe u arrestua në veri të Kosovës, siç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani. Nga kjo parti serbe thanë më pas se u prangos dhe politikani, Stefan Velkoviç. Elshani u shpreh:

Arsenijeviç ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore. Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.

Mësohet se këta politikanë penguan lyerjen e flamurit serb në afërsi të urës. Arrestimi i Arsenijeviçit u bë në ditën kur në Mitrovicën e Veriut po mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Para nisjes së këtij debati, në komunën e Mitrovicës së Veriut shkuan anëtarë të partisë së Arsenijeviçit që kërkuan nga Elshani të shpjegojë se përse u arrestua Arsenijeviç dhe Stefan Velkoviç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në debat, për të shprehur shqetësimet e tyre, që do të trajtohen nga institucionet e vendit. Në mes të korrikut, qeveria Kurti njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër që ndan dy Mitrovicat, për lejimin e kalimit të makinave.

Por, vendet e QUINT-it, Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment. Komentet i bënë më 2 gusht.  Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për të luftuar zhvillimet të cilat mund ta cënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër. Aty pranë gjenden edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në periudhën e pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u ra dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.