Aktualitet

Protestë në Portin e Durrësit për mbetjet!

Protestë për mbetjet toksike. Sot Partia Demokratike organizoi një tubim kundër kthimit të një anijeje me mbetje. Këtë tubim në Portin e Durrësit, opozita e thirri për të kundërshtuar mbërritjen e disa kontenierëve në portin më të madh detar të vendit ndërsa thotë se “aty transportohen mbetje toksike”. Protestuesit bllokuan dy anët e rrugës së hyrjes në port, se sipas tyre, “mbërritja e mbetjeve përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve”.

Në fjalën e tij, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi  deklaroi se “mbërritja e këtyre mbetjeve në Portin e Durrësit, e kthen atë në një skenë krimi” dhe se “prokuroria duhet të jetë aty për të sekuestruar kontenierët”.

Nëse nuk do të kishin reaguar organet e shteteve të tjera, nuk do të merrnim vesh gjë. Ato do të vinin dhe të groposeshin pa asnjë dijeni për qytetarët. Ky është model kriminal qeverisës dhe është detyra jonë qytetare të reagojmë fort për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë skandal. Kjo është një skemë krimi gjigante dhe ky port është përbashkues i interesave të politikës dhe krimit, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Ambientalisti Sazan Guri bëri thirrje të kryhen analizat për mbetjet toksike që do të ankorohen në Portin e Durrësit, pasi sipas tij, “analiza do të tregonte se ku mund të groposen mbetjet ose nëse duhen pranuar apo jo”.