Rajoni

Protestë në Mitrovicën e Veriut, shkak arrestimet!

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb po protestojnë para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut, në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të katër të rinjve serbë një ditë më parë nga Policia e Kosovës. Disa aktivistë serbë dhe qytetarë të Mitrovicës së Veriut thanë se të rinjtë janë rrahur fizikisht nga policët ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se ishin ata që sulmuan dy policë dhe se gjatë arrestimit është përdorur forcë minimale për t’u vënë prangat.

Protestuesit po mbajnë pankarta me mbishkrimin “Lironi fëmijët tanë” e “Policia e Kurtilandit”, si dhe po përdorin bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Në protestë ra në sy dhe prania e një anëtari të partisë Demokracia Serbe, i cili po ashtu pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.

Më parë, për arrestimin e të rinjve reagoi edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, duke theksuar se “brutaliteti i Policisë së Kosovës ndaj serbëve, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, është bërë përditshmëri në veri të vendit”.

Reagime pati edhe nga Beogradi, duke pretenduar se Policia e Kosovës i ka rrahur të rinjtë ndërsa nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ekziston një video e ruajtur që provon “torturën”.

Katër të rinjve të ndaluar në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj personit zyrtar”, dje iu caktua masa e paraburgimit.

Në një tjetër zhvillim, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave e në mesin e tyre është dhe Milan Radoiçiç për sulmin e armatosur në Banjskë vitin e kaluar. Sipas prokurorit të çështjes, Naim Abazi, ata kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe larja e parave.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të shtetit serb në sulm, gjë që, më herët, është përmendur vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse vetë Beogradi zyrtar e ka mohuar. Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.