Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër po zhvillohet protesta e pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët kundërshtojnë hapjen e saj për qarkullimin e makinave. Kjo urë ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me të Veriut, me shumicë serbe.
Në periudhën e pasluftës, ura ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për të kundërshtuar përpjekjet e Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri. Aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorët edhe pse në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u ra dakord që të lejohen makinat.
Muajin e kaluar, qeveria e kryeministrit Albin Kurti njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Por, vendet e QUINT-it: Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për automjetet, në këtë moment.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ushtarë italianë të KFOR-it patrullojnë në urën mbi lumin Ibër e aty pranë ndodhen dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përsëriti qëndrimin e Unionit se “çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje”. KFOR-i shtoi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit. Më herët, kjo parti kishte deklaruar se ura nuk mund të hapet pa konsultime dhe pëlqimin e shumicës serbe që jeton në anën veriore të urës.
Në prill të vitit të kaluar, anëtarë të Asamblesë të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, vendim që më pas iu dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe dikasterit të Administrimit të Pushtetit Lokal.
Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjës institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Europian. Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut.