Bota

Protestat në Gjeorgji, bashkohen edhe studentët!

Pavarësisht protestave masive të mbajtura prej javësh të tëra, sot Parlamenti i Gjeorgjisë pritet t’i japë miratimin final projektligjit të debatuar për “Agjentët e huaj”, që shumë e shohin si kërcënim të rrugës së shtetit drejt integrimeve euroatlantike dhe kopje të ligjit shtypës që zbatohet në Rusi.

Studentët gjeorgjianë, shumica e të cilëve lanë orët e mësimit, iu bashkuan dje protestave dhe sot po organizohen edhe më të shumtë në numër. Protestuesit që kanë protestuar prej javësh në Tbilisi, pavarësisht shtypjes nga autoritetet, iu bënë thirrje që t’iu bashkohen protestave.

I bëj thirrje të gjithëve, të dalin nga universitetet dhe të shpërndahen përreth perimetrit të Parlamentit, që të mblidhemi dhe ligjvënësit të na dëgjojnë zërin. Ndoshta ata do të mësojnë diçka nga ne dhe nuk do ta kalojnë projektligjin në votimin e tretë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se studentët po planifikojnë të krijojnë të ashtuquajturit “korridore të turpit” për ligjvënësit nga partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane, që ata të kalojnë përmes këtyre korridoreve njerëzore gjatë hyrjes në Parlament, para votimit.

Prej javësh, mijëra gjeorgjianë kanë protestuar kundër projektligjit për “Agjentët e huaj” e që është prezantuar nga Endrra Gjeorgjiane. Protestat janë shtypur me dhunë e në shumë raste, autoritetet kanë përdorur pompa uji, gaz lotsjellës e plumba gome për të shpërndarë protestuesit, të cilët po ashtu kanë qenë objektiv i sulmeve të bandave, teksa protestonin gjatë natës.

Projektligji është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian e të tjerë, pasi kanë argumentuar se është i ngjashëm me ligjin që përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të shtypur disidencën dhe institucionet e pavarura.

Por, projektligji pritet të votohet sot në Parlamentin e kontrolluar nga Endrra Gjeorgjiane. Grupet për të drejtat e njeriut po ashtu i kanë bërë thirrje Endrrës Gjeorgjiane që menjëherë të tërheqë projektligjin.

Presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili, e cila mbështet protestat paqësore është zotuar se do të vendosë veto ndaj draftit, nëse ai miratohet nga ligjvënësit. Por, një shumicë e thjeshtë në Parlament mjafton që vetoja e presidentes të zhbëhet.

Sipas ligjit të propozuar, mediat, organizatat joqeveritare dhe organizatat e tjera jofitimprurëse duhet të regjistrohen si organizata “që ndjekin interesat e një fuqie të huaj” nëse ato marrin më shumë se 20% fonde nga jashtë.