Vijojnë tensionet në rajonin e shkëputur gjeorgjian të Abkazisë e që mbështetet nga Rusia. Presidenti i këtij rajoni separatist u shpreh se “ende nuk është arritur kompromis me opozitën”. Prej tri ditësh, protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë brenda ndërtesës së Parlamentit në kryeqytetin Sukumi. Ata kundërshtojnë marrëveshjen me Moskën për investime.
Lideri de facto i rajonit, Aslan Bzhania, tha se do të jepte dorëheqje pasi protestuesit të largoheshin nga Parlamenti. Më vonë, Bzhania mblodhi kabinetin qeveritar në vendlindjen e tij Tamish, për të diskutuar mënyrat si “të stabilizohet situata e krijuar”.
Ka pasur frikë se dhuna mund të përshkallëzohej pas hyrjes së protestuesve në Parlament. Për javë të tëra, rajoni është përballur me tensione.
Opozita kërkon që Parlamenti të tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë, se sipas kundërshtarëve do t’iu mundësonte rusëve të pasur të blejnë prona në rajonin piktoresk të Detit të Zi e të rriten çmimet. Po ashtu, pret që Bzhania të japë dorëheqje, bashkë me zv.presidentin e kryeministrin e rajonit.
Situata do të stabilizohet. Ne do të rikthejmë gjithçka në kornizën ligjore.
Bzhania, ish-shef i shërbimit shtetëror të Sigurisë në Abkazi:
Po iu bëhet presion i madh anëtarëve të Parlamentit, që Parlamenti të ndërmarrë veprime të paligjshme për të rrëzuar presidentin. Skenari i vitit 2014 nuk do të përsëritet, kur udhëheqësit në Abkazi dhanë dorëheqje për shkak të protestave të opozitës.
Ministria e Brendshme dhe shërbimet e sigurisë njoftuan se do t’iu përmbahen urdhrave të presidentit. Ndërkaq, protestuesit theksuan se protesta e tyre nuk ka për shënjestër raportet e ngushta mes Abkazisë e Rusisë por është kundër Bzhanianit, të cilin e akuzojnë “se po tenton të përdorë këto raporte për interesat vetjake e për të forcuar regjimin e tij”.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, protestuesit thanë se do të qëndrojnë në Parlament derisa të japë dorëheqje presidenti. Moska njoftoi se po e ndjek “krizën” me shqetësim dhe iu bëri thirrje shtetasve rusë që të shmangin udhëtimin për në Abkazi.
Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90. Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse zmbrapsën një përpjekje të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte 5-ditore në verën e vitit 2008 e që u mbyll me humbjen e Gjeorgjisë.
Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Rusia. Shteti rus paguan rrogat e administratës publike dhe përfitimet sociale për banorët atje.