Para Gjykatës së Lartë u mbajt protesta e opozitës, në prag të vendimit për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, për të vijuar me një marshim para selisë së PS-së, sheshit “Skënderbej”, bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e deri te Selia Blu. Kjo protestë u lajmërua që më 18 dhjetor nga Sali Berisha, duke folur para mbështetësve te Kryesia e Kuvendit kur ishte mbledhur Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK-ut, që t’i hapej rruga arrestimit të tij.
Para protestuesve, Sali Berisha ngriti disa pyetje. A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD-ja, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD-së? A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD-së? Cili është ai skllav që do të lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Sipas Berishës, ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë. “Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim do të pranojë një nënshtrim poshtërues”, – deklaroi ish-kryeministri.
Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është që ta marrë ligjin të mirëqenë, liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria. Njeriu i lirë është ai që zbaton ligjin, por duke qenë vigjilent se mos ai ligj po përdoret kundër tij. Vetëm skllavi do të pranonte që gjykatat që shkelin ligjin, që shtypin lirinë e tij, të përcaktojnë fatin e tij. Kjo është diferenca mes njeriut të lirë dhe skllavit.
Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe me tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota, jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga një proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë.
A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se PD, vula, sigla, selia e saj, u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve?
A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD-së?
A ka njeri të lirë sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhtuar gjithçka, duke nisur nga qenia e tij gjer te mbështetësi më i fundit i tij?
A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD?
A ka njeri të lirë sot që të tresë rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet zbatuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit?
Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij?
Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë.
Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do të pranojë një nënshtrim poshtërues. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë!