Bota

Protesta të dhunshme e arrestime në Britani pas sulmit me tre viktima!

Vazhdojnë protestat e dhunshme në Londër pas sulmit tronditës në një qendër për fëmijë ku një 17-vjeçar vrau me thikë tre vajza të vogla e plagosi disa persona, në Southport. Adoleshenti i cili mbahet në paraburgim, sot paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Liverpool.

Ai dyshohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje pas sulmit të përgjakshëm të fillimjavës në një “Taylor Swift yoga and dance workshop”, në një kamp pushimi veror për fëmijët e moshave 6 deri në 11 vjeç, në qytetin bregdetar anglez. Tre viktimat ishin 6 deri në 9 vjeçe. Identiteti i të akuzuarit nuk mund të jepet pasi është nën 18 vjeç dhe për ligjin konsiderohet “i mitur”.

Trazirat në Southport nisën dy ditë më parë kur në rrjetet sociale u përhap një njoftim i rremë se i dyshuari që sulmoi me thikë ishte një emigrant radikal islamik. Në Londër, mijëra njërëz u mblodhën  pranë rezidencës së kryeministrit në Downing Street, duke thirrur “Shpëtoni fëmijët tanë!”, “Ne duam sërish vendin tonë!” dhe “Ndaloni anijet!”.

Policia britanike saktësoi se sulmi nuk ishte i lidhur me terrorizmin dhe se i dyshuari ka lindur në Britaninë e Madhe, duke hedhur poshtë spekulimet mbi origjinën e tij. Një numër i madh policësh, që mbanin helmeta, formuan një kordon rreth protestuesve, të cilët më herët hodhën flakadanë e tymuese drejt Downing Street. Më shumë se 100 persona u arrestuan në Londër.

Protesta të dhunshme pati në të gjithë Britaninë e Madhe, përfshirë trazira në Hartlepool, Manchester e Aldershot.

Policia në Hartlepool u sulmua me shishe qelqi dhe vezë. Një makinë policie u dogj.

Në Manchester, një numër i madh demonstruesish doli jashtë hotelit “Holiday Inn” në Oldham Road, dje rreth orës 18:00. Rreth 40 persona, mes të cilëve fëmijë dhe burra që mbanin kapuçë, u mblodhën jashtë ambienteve të Oldham Road në atë që dukej si një qëndrim kundër azilkërkuesve që strehohen në hotel.

Në Londër, një protestë e madhe u organizua me moton: “Mjaft është Mjaft” dhe protestuesit u përleshën me oficerët në Whitehall.

Mbi 100 njerëz janë arrestuar për shkelje, përfshirë akte të dhunshme, sulm ndaj një punonjësi të urgjencës dhe shkelje të rregullave të protestës. Disa oficerë pësuan lëndime të lehta.

Për protestat që lidhen me ngjarjen në Southport, pati arrestime. Një përfaqësues i policisë deklaroi se “opinioni publik është i tronditur dhe i zhgënjyer nga skenat e turpshme të trazirave” dhe i bëri thirrje qytetarëve të japin informacione.

Alice Dasilva Aguiar, 9 vjeçe; Bebe King, 6 dhe Elsie Dot Stancombe, 7 vjeçe u goditën për vdekje me thikë kur agresori me thikë hyri në klasën e kërcimit në “Hart Street” në Southport, Merseyside. Tetë fëmijë të tjerë pësuan lëndime, pesë prej tyre në gjendje kritike. Të plagosur rëndë janë dhe dy të rritur.