Aktualitet

Protesta te Bashkia Tiranë, policia ndalon një shtetas dhe për vrasje me dashje, mbetur në tentativë!

Policia e Tiranës ka ndaluar një shtetas për akte të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme përpara bashkisë. Eshtë fjala për protestuesin Sokol Bushkolaj, 49-vjeç, i cili po ashtu është ndaluar edhe në protestën e 8 majit po para Bashkisë Tiranë.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza, ndërsa për hedhjen e molotovit mes qytetarëve dhe gazetarëve i është ngritur akuza për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Gjithashtu akuzohet për “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” e “Goditjet për shkak të detyrës”.

Teksa mbante maskë kirurgjikale dhe kapele në kokë, ai hidhte molotovë në drejtim të godinë së bashkisë, ndërsa policia i bënte thirrje të ndalonte. Po ashtu, uniformat blu proceduan në gjendje të lirë një tjetër person.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin: S.B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë”.

Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 8 maj, në lidhje me protestën e datës 7 maj 2024.

Gjithashtu, policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin K.B., 22 vjeç, banues në Tiranë.