Sot opozita e Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbajtën protestën e radhës para Bashkisë Tiranë e që pason manifestimet e nisura pas arrestimeve të disa drejtorëve të institucionit, disa kohë më parë. Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bëri thirrje për qëndresë dhe pjesëmarrje masive në këto tubime. Në vëmendje risolli dhe arrestimin e Presidentit të PL-së, Ilir Meta, i cili nga SPAK-u, ndër të tjeta akuzohet për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.
Shqipëria sot është nën një regjim kriminal, nën pushtetin e një regjimi që përdor këtë narkopolici për të arrestuar dhe për të rrëmbyer Presidentin e Partisë së Lirisë, për të arrestuar, për të dhunuar protestuesit paqësorë. Vetëm në Shqipëri ndodh të arrestohesh pse proteston në paqe.
Tre viktima dje në Shkodër, a e patë këtë polici? Ku ishin këta efektivë të policisë? Janë thjesht një eskortë ordinere e krimit të organizuar. Kemi sot edhe një sistem drejtësie të falimentuar, që vetëm drejtësi nuk jep, që nuk ka as standardet e drejtësisë kriminale të Enver Hoxhës, se janë më të paaftë, janë më kriminelë, veçse janë më qesharakë. Në cilin vend të botës ndodh që një Kryeministër, i faktuar për lidhjet e tij të tmerrshme dhe familjare me trafikun Ndërkombëtar të drogës, nuk thirret njëherë në Prokurori.
Nuk është koha vetëm për rezistencë, është koha për aksion. Për aksion, sepse tashmë është në duart tona për të bërë drejtësi, sepse populli nuk ka asnjë alternativë tjetër, sepse kjo drejtësi që u miratua nga të gjithë, për fat të keq, u kap nga Edi Rama dhe sot prokurorët dhe gjyqtarët, nuk janë gjë tjetër veçse toga pushkatimi kundër opozitës dhe kundër jush, kundër të gjithë atyre qytetarëve, që vetëm dy ditë më parë nuk hodhën asnjë gur, nuk shkelën dhe nuk këputën asnjë lule, u mbajtën të ndaluar në komisariate. Po vetëm këtu ndodh të arrestohesh vetëm se je paqësor.