Aktualitet

Protesta e opozitës te Bashkia Tiranë, policia thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna!

Protesta e radhës e opozitës te Bashkia Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj pas arrestimit për korrupsion të disa drejtorëve e ish-drejtorëve të institucionit me urdhër të SPAK-ut, policia njofton se ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë. Leja për tubimin u kërkua nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, për sot në orën 10:00, pranë Bashkisë së kryeqytetit.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Tiranës njofton se prej orës 09:30 e në vijim ka bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye, ashtu si herët e kaluara, sugjeron që të përdoren rrugë alternative deri në përfundim të tubimit, të tilla si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Po ashtu, policia iu bën thirrje organizatorëve në lidhje me mënjanimin e akteve të dhunës që janë prezente e përsëriten në protesta të tilla.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.