Aktualitet Politikë

Protesta e 11 korrikut, mesazhi i Berishës drejtuar strukturave!

Sali Berisha, sot iu drejtua strukturave të Partisë Demokratike në lidhje me protestën e 11 korrikut, pas tre ditëve. Në një porosi dërguar drejtuesve e të zgjedhurve të të gjitha niveleve, si dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike, Berisha vuri në dukje se 11 korriku duhet të shënojë protestën më të madhe që ka njohur ndonjëherë kryeqyteti. Teksa thekson se duhet bërë gjithçka është e mundur për mobilizimin e çdo anëtari e simpatizanti të PD-së, ndër të tjera shkruan:

Më 11 korrik të gjithë në Tiranë! Fitore!

Mesazhi i plotë:

Përshëndetje!

Tre ditët e ardhshme janë vendimtare për suksesin e protestës te 11 korrikut, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme për opozitën. Ajo duhet me çdo kusht të jetë protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur Tirana deri sot!

Ndaj është jetike që në këtë hark të shkurtër kohor të bëni gjithçka për mobilizimin më të paparë, për të garantuar pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe antareje, mbështetësi dhe mbështetëse të PD në protestën e 11 korrikut.

Me 11 korrik, ne demokratet dhe demokratët edhe mbështetësit tanë duhet të dëshmojmë para shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica politike e vendit, e gatshme për çdo betejë, për çdo fitore!

O sot o kurrë!

Me 11 korrik të gjithë në Tiranë! Fitore!

Sali Berisha.

Prej 30 dhjetorit të kaluar, Berisha qëndron në arrest shtëpie lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani në Tiranë, si person nën hetim nga SPAK-u për korrupsion pasiv.