Aktualitet Politikë

Protesta, Berisha reagon online: Beteja e mosbindjes civile kundër narko-diktaturës vazhdon

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas disa orëve protestë.

“Beteja e mosbindjes civile kundër narko-diktaturës vazhdon! #sb”, ka shkruar Berisha në Instagram.

Protesta e opozitës ka prodhuar dhunë dhe zjarrvënie. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov fillimisht drejt kryeministrisë dhe më pas në një sasi edhe më të madhe, drejt selisë së Partisë Socialiste dhe policisë, ku situata doli nga kontrolli.  Protestuesit kanë përfituar nga përqëndrimi më i pakët i forcave të Policisë pranë selisë së Partisë Socialiste. Forcat e rendit kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën pranë Selisë.

Policia kishte përqëndruar më shumë forca pranë Kryeministrisë, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë, duke anashkaluar selinë rozë. Protestuesit më tej janë drejtuar tek Ministria e Brendshme ku kanë hedhur mjete piroteknike dhe bomba molotov drejt forcave të policisë të pozicionuar tek dera. Me tej janë drejtuar tek Bashkia e Tiranës, ku sërish ka patur hedhje molotovi dhe mjetesh piroteknike. Dy efektivë policie janë plagosur nga shpërthimi i molotovëve.

Protesta nisi me përplasje tek  Kryeministria. Ishin fillimisht deputetët e PD të cilët u përplasën fizikisht me uniformat blu që përbënin koordonin te selia qevetaritare. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës.