Politikë

Protesta anti-Vuçiç, Berisha: U arrestuan e dhunuan të pafajshëm; Lulzim “Bravës” do i dërgohet me shkrim shkarkimi

Ish kryeministri Sali Berisha ka dalë në konferencë për mediat nga selia e PD duke thënë se Komisioni i Përkohshëm i drejtimit të PD ka vendosur që të zbatojë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit.

Berisha sqaron se Komisioni do t’i komunikojë Bashës vendimet e anëtarësisë së PD për referendumin e datës 18 dhjetor për shkarkimin e kryedemokratit.

Në fjalën e tij theksohet se Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësia e PD është në këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj, ndaj fton çdo deputet të PD të marrë dosjen e votimit të degës nga e cila është zgjedhur deputet dhe të marrë vendimet e duhura.

“Sot, Komisioni i Përkohshëm i drejtimit të PD, pas diskutimesh të gjera ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit të PD. Deri më 22 mars, të gjitha strukturat e kësaj partie duhet në përputhje me ndryshimet statutore të shtrohen në struktura. Kjo është një punë intensive por pasioni, energjia, përkushtimi i demokratëve është më i madh se kurrë. Duk e u angazhuar në këtë proces të një rëndësie jetike, demokratët e Shqipërisë janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri.

Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë të PD në aktin më historik të lirisë gjatë pluralizmit siç ishte referendumi i datës 18. Ky akt, siç e dini ishte shkarkimi për të cilin vendosën me votë të fshehtë delegatët e Kuvendit të thirrur nga anëtarësia më 11 dhjetor 2021. Deputetit Basha do t’i dërgohet një shkresë për këtë vendim. Ndërkohë për të gjithë anëtarët e PD, 44 mijë të rinj, të reja, burra dhe gra që votuan më 18 dhjetor për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që ndodhen, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësia e PD është në këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj. Ftoj çdo deputet të PD që e ndjen veten deputet të kësaj force politike dhe jo deputet të Lulzim Bravës, ftoj çdo deputet të PD që e ndjen veten njeri të lirë dhe jo të gancuar nga interesa të ndryshme, të vijë të marrë dosjen e votimit të degës nga e cila është zgjedhur deputet dhe të marrë vendimet e duhura”.

Berisha: Policia dhunoi protestuesit paqësorë

Pasi Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike hynë me dhunë në selinë e PD-së, ata shkelmuan derën e mbyllur të sallës ku zhvillohen konferencat për mediat në PD, e më pas të gjithë anëtarët u futën brenda. Por Berisha nuk e sheh këtë. Ai tha se dënon dhunën e djeshme të policisë.

“Dënojmë disa akte brutale të policisë të narkopolicisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët, në furgonat e makinë. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narkopolicinë, se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta, apo në lëvizjet revolucionare.
Mbrëmë deri në një të natës, në qeli të komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë 15 vjeçar, por edhe burra të moshuar 84 vjeçar… Paralajmërimi përfundimtar është mos dhunohet asnjë e drejtë njerëzore”, tha Berisha mes të tjerash.

 

Berisha për protestën e djeshme: U mbush Bulevardi! Tirana dhe Shkupi, vasalë të Serbisë

Edhe pse nuk kishte më shumë se 1000 vetë dje në protestë, Sali Berisha deklaron se mbushi Bulevardin mbrëmjen e djeshme. Berisha tha sot nga Selia e PD se ajo ishte një protestë kundër aleancës së Beogradit me vasalët e tij në Tiranë dhe Shkup.

“Mbushën mbrëmë Bulevardin Dëshmorët e Kombit në një akt historik të protestës së dytë që nga viti 1998 të partive politike për interesin e tyre kombëtar. Interesi kombëtar në Shqipëri mbeti jetim prej 8 vitesh. Ai nuk u nëpërmkëmb dhe u tradhtua nga Edvin Kristaq Rama dhe me heshtje u tradhtua po njëlloj nga ish-kreu i opozitës që me program dhe statut duhet të mbronte këtë interes, ‘Lulzim Brava’.

PD e rithemeluar mbi vlerat konservatore i tha botës se interesi kombëtar në këtë vend ka një avokat në PD dhe në opozitën shqiptare. Kjo nuk ishte një protestë kundër bashkëpunimit rajonal, por kundër Aleancës trepalëshe të Beogradit me vasalët e tij në Shkup dhe Tiranë. Kjo përbën rrezik serioz po të kemi parasysh që 2 vende vasale të Beogradit, janë vende anëtare të NATO-s dhe e kanë bërë këtë akt pa marrë asnjë miratim nga Aleanca e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha