Bota

Protesta anti-qeveritare në Turqi kundër vrasjes së grave!

Turqia është përfshirë nga protestat kundër vrasjeve e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Dy rastet më të fundit në Stamboll kanë çuar në tubime të organizuara në qytetet turke. Qindra pjesëmarrës shënjestruan e ngritën zërin kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe partisë me rrënjë islamike, AKP, të drejtuar prej tij. Duke folur para një turme, organizatorja e marshit, Gunesh Fadime Ahsahin, hodhi akuza:

Ju jeni një qeveri që lejon vrasjen e grave!

Një shtetase e identifikuar si Gulizar Sezer, nëna e një gruaje të re e cila u vra muaj më parë, deklaroi se duhet t’i jepet fund “masakrimit të vajzave tona”. Trupi i pajetë i vajzës së saj u gjet në qershor, i hedhur në det, i mbështjellë. Protesta pati edhe në kryeqytetin Ankara e në Izmir, përveçse në Stamboll, sipas raportimeve.

Të tjera protesta u mbajtën në Ankara e Izmir, referuar njoftimeve të Federatës për të Drejtat e Grave në Turqi.

Manifestime të ngjashme janë mbajtur çdo ditë gjatë javës që po lëmë pas, në qytete të ndryshme e kryesisht në kampuset universitare. Ato kanë shpërthyer duke marrë shkas nga vrasjet e pak ditëve më parë të dy vajzave të reja, brenda 30 minutave. Më pas, autori i dyshuar i dha fund jetës duke vrarë veten me të njëjtën armë zjarri. Ai dhe dy viktimat ishin të rinj, që të tre të moshës 19 vjeç, siç konfirmuan për mediat zyrtarët turq të sigurisë.

Presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan, i cili paraprakisht ka fajësuar përdorimin e alkoolit, si dhe të rrjeteve sociale si arsye për të tilla vrasje, është zotuar që të forcojë sistemin gjyqësor e luftën ndaj krimit në Turqi. Tashmë prej vitesh, ky shtet regjistron raste të shumta të vrasjes së grave.

Një grup monitorues bëri të ditur se vetëm këtë vit, prej janarit 2024 janë kryer 299 ekzekutime të grave, në Turqinë që numëron 85 milion banorë. Në vitin 2021, shteti turk u tërhoq nga një konventë e Këshillit të Europës për parandalimin e fenomenit të dhunës ndaj grave, e njohur ndryshe si Konventa e Stambollit. Kjo konventë i detyron autoritetet vendase që të hetojnë e të ndëshkojnë autorët e dhunës ndaj grave.