Rajoni

Propozimi francez, vijon diskutimi në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut vijon sot diskutimi për propozimin francez, që synon të zgjidhë mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe t’i hapë rrugë integrimit europian të vendit e të Shqipërisë. Edhe këtë të premte pritet seancë e gjatë, nisur nga numri i madh i deputetëve që kanë kërkuar të marrin fjalën.

Në Shkup, dje ishte Ursula von der Leyen, për të nxitur deputetët e Maqedonisë së Veriut, të pranojnë propozimin francez. “Eshtë koha për marrjen e vendimeve të mençura, për ta çuar vendin drejt integrimit europian. Siguroj deputetët se me propozimin e modifikuar francez, nuk rrezikohet gjuha maqedonase”. Kjo deklaratë e shefes së Komisionit Europian, u prit me duartrokitje nga shumica parlamentare dhe me fishkëllima nga opozita.

Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria e ka mbështetur propozimin, por jo opozita, që prej rreth dy javësh vijon të organizojë protesta. Të tilla kishte edhe dje para selisë së Parlamentit. Protestuesit mbanin flamuj maqedonas e pankarta.

Një ditë më parë, u mbyll pa marrëveshje seanca parlamentare në Maqedoninë e Veriut për propozimin francez, që pjesën më të debatueshme ka atë në lidhje me gjuhën maqedonase. Tensionet mes ligjvënësve në Shkup arritën kulmin kur deputetë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, i vunë flakën dokumentit të propozuar nga Parisi zyrtar. Miratimi i tij do t’i hapte rrugën Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe vendin tonë, pasi nga Unioni, rrugëtimi europian i Shkupit e Tiranës nuk trajtohet i veçuar.

Po dje, kryeministri Edi Rama dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi komentuan nga Vlora zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Varhelyi u shpreh shpresëplotë se do të ketë përgjigje pozitive. Nga ana tjetër, Rama paralajmëroi se nëse hidhet poshtë, që të nesërmen, Shqipëria do të kërkojë ndarjen e procesit të integrimit nga dosja bullgaro-maqedonase.