Për të tretën ditë radhazi, mes pengesash, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut po vazhdon debatin për miratimin e propozimit francez lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, çka do t’i hapte rrugën procesit të integrimit europian. Pjesa më e madhe e deputetëve e mori fjalën, por mbeten edhe disa. Diskutimet nisën dy ditë më parë, në një debat të acaruar e me përpjekje për përplasje fizike.
Opozita është kundër dokumentit. Ligjvënës të partisë opozitare, VMRO-DPMNE, u binin borive e fishkëllenin sa herë që flisnin kolegët e maxhorancës. Deputetët duhet të votojnë propozimin francez dhe disa konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Ato kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Parlamenti detyron Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë.
Propozimi francez përfshin kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin e të kaluarën historike. Nga pala maqedonase, Bullgaria kërkon që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, deklaroi:
Qeveria është e vendosur të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike e kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet europiane.
Por, deputetët e VMRO-DPMNE/së vazhdojnë me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” se sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtar maqedonas”. Ata nuk u bindën as nga deklarata e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila i siguroi se “propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij”.
Mosmarrëveshjet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Europian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, prej më shumë se dy vitesh.