Nesër në Tiranë zhvillohet mbledhja e Komitetit të Përbashkët mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Partia Demokratike bën të ditur se ka kritikuar draftrezolutën, duke bërë edhe propozime për situatën në Shqipëri. Siç njofton grupi demokrat, opozita u ndal te respektimi i shtetit ligjor dhe mospërdorimit politik të drejtësisë.
Mosrespektimi i Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës duke iu referuar rastit “Xhaçka” por edhe ligjeve të tjera të rrëzuara nga Kushtetuesja, por që shumica parlamentare nuk reflekton ndryshimet, është një tjetër çështje e përfshirë në propozimet e deputetëve të PD-së, njofton grupi parlamentar i PD.
Sipas deputetëve të PD-së këto qëndrime të socialistëve dëmtojnë rëndë parimet kushtetuese dhe demokratike të balancës mes pushteteve.
Opozita ngre shqetësim të madh për lidhjen mes politikës dhe krimit të organizuar, që përdoret si mekanizëm në zgjedhje, siç treguan edhe përgjimet e fundit të SKY/ECC për listën e Durrësit, si dhe mungesën e vullnetit politik për miratimin e një kodi zgjedhor konsensual dhe që përputhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR, siç parashikohet në planin e negociatave.
Deputetët demokratë, njofton më tej grupi parlamentar i PD-së, i bëjnë thirrje mazhorancës që të adresojë me prioritet çështje kritike si keqpërdorimi i buxhetit të shtetit për të favorizuar partinë në pushtet, shfrytëzimi i resurseve shtetërore për të cenuar zgjedhjen e lirë të votuesve dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve përmes sistemit të patronazhit gjatë zgjedhjeve.
Këto praktika, thuhet në rezolutë, dëmtojnë besimin e publikut dhe minojnë integritetin e procesit demokratik në Shqipëri.
Po ashtu në rezolutë, siç njofton PD, opozita shpreh shqetësim të thellë për Komisionin Parlamentar të Posaçëm për “Fuqizimin e Reformave për Qeverisje të Mirë, Sundim të Ligjit dhe Antikorrupsion për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian,” i cili, sipas saj, u krijua në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të gjerë politik.
Sipas PD integrimi nuk mund të jetë proces përjashtues, por një proces gjithëpërfshirës, ku opozita duhet të ketë një rol themelor.
Po ashtu grupi parlamentar i PD njofton se opozita dënon kalimin e ligjeve nga qeveria që cenojnë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, duke paralajmëruar për dëme të pariparueshme në ekosisteme të rëndësishme dhe monumente historike. Veprime të tilla rrezikojnë qëndrueshmërinë mjedisore dhe trashëgiminë kulturore për gjeneratat e ardhshme.
Në përfundim të rezolutës, PD-ja bën thirrje për një dialog të mirëfilltë politik që të nxisë stabilitet dhe progres, duke kërkuar nga të gjitha palët politike që të shmangin përdorimin e mekanizmave shtetërorë për qëllime politike dhe të respektojnë plotësisht rolin e opozitës dhe të deputetëve të saj.