Film & Tv

‘Promising Young Woman’, një histori origjinale hakmarrjeje, e denjë për epokën e ‘me too’

Një grua në një bar, e pirë, e çrregullt, gati duke rënë nga poltroni ku qëndron e ulur – shtrirë, në një klub të orëve të vona. E pamundur të mos pikaset nga ‘naçut’ që kanë dal për të gjuajtur, njëri syresh interpretuar nga Adrian Brody i shkon, i flet, me qëllimin në dukje për ta ndihmuar. Ajo është e brishtë – e ka tepruar pak sot; kush-e-di çfarë halli ka patur – dhe ai ‘një djalë flori’ që po ndihmon atë që mund të ishte motra e tij. Nëse ai nuk e çon në shtëpi – një predator do të përfitojë nga gjendja e saj. Ndaj ai prezantohet me Cassien (Carey Mulligan, Diasy e ‘The Great Gatsby’ 2013), ajo duket sikur kupton pak nga çfarë po ndodh, ndaj ai ofron ta çojë në shtëpi – fundja si mund të shkojë ajo vetë kur nuk po gjen dot as telefonin. Rrugës për në shtëpinë e saj ai sugjeron të ndalojnë tek e tija, për një gotë – për t’u ‘ftilluar’ disi. Aty, edhe pse ajo është në gjëndje të ngjashme me të qënit pa ndjenja ai fillon ta puthë, ta prekë, t’i fusë duart, me qëllime jo të ‘një djalë flori’ por të një plehre që po përfiton nga rasti.

Deri kur ajo e ndalon! Nuk është xurxull – është më shumë se esëll – një grua me një plan.

Cassie, heroina e debutimit ambicioz të Emerald Fennell “Promising Young Woman” ka një hobi shumë interesante. Pasi la studimet për mjekësi, për të ndihmuar në traumën e shoqes së saj të ngushtë Ninës, punon në një kafe lagjeje ditën, natën zë në kurth të gjithë ata meshkuj të etur për seks, ata që dhunojnë gratë në pozita të vështira. Edhe pse me pikatore, Fennell zbulon se fillimi i këtij hobi ka lidhje me Ninën, dhe abuzimit që kjo e fundit kish pësuar nga një djalë i tillë, pa e pësuar hiç!

Dy zhvillime e bëjnë Cassie-n të ndalojë hakmarrjen e saj. Fillimisht ajo ri-takohet me një shok universiteti – Ryan-in (Bo Burnham) dhe nis të dalë me të! Kimia mes tyre dhe fakti që Ryan nuk shpejtohet ta çojë Cassie-n në dhomën e gjumit bën që ata të lidhen me njëri tjetrin deri në momentin që ai i tregon për kthimin nga Londra të njeriut që i shkatërroi jetën shoqes së saj të ngushtë.

Filmi është një tatëpjetë dramash, thelbi i tij është ky – nga kjo lindin të gjitha vendimet e personazheve – Mulligan dhe Fennel nuk e harrojnë në asnjë moment këtë. Katarsisi sado fort të kërkohet a mund të gjehet realisht? Kapitujt e hakmarrjes sado të japin një lloj kënaqësie të vogël të lënë një boshllëk edhe më të madh. Sidomos prej ai përmbyllës, një akt final i cili do të ndajë publikun në mes dhe një guxim për t’u admiruar nga regjisorja.

Fennell nuk e përdor dramën femërore si një kurth manipulimi i audiencës për të qënë me heroinën – e jetëson si në karakter aq edhe në stilin e shprishur të filmit. Jeta e saj është normale, por çdo ditë që kalon nuk shkon pa kujtuar atë që ka humbur – depresionin e vetmisë, e ndjesisë së fajit dhe pafuqisë për ti ndryshuar gjërat plotësisht, aq sa hakmarrjet e vogla të duken arritje të mëdha…


Pjesmarrës në Sundance Film Festival, “Promising Young Woman” është i thellë, të përfshin në melankolinë, dramën dhe humorin e zi, dhe meriton të gjitha kandidaturat e Oscar 2021 – një nga filmat më të kandiduar të vitit.