Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysëm liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli. Por ngelet e paqartë se si do të vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk e kanë në Tiranë. Zyrtarisht pranohet se 9-fishi i shtetasve të dënuar po e vuajnë dënimin jashtë burgut me dënime alternative, detyrim paraqitje, punë me interes publik dhe liri me kusht. Të tillë janë 10 360 persona. Ndërsa në burg mbahen si të dënuar të formës së prerë 1724 persona. 2891 të tjerë kanë statusin e të paraburgosurit dhe prezumohen të pafajshëm gjersa gjykatat të flasin.
Pavarësisht ligjit që parashikon gjysëm lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg.
Në episodin e radhës në podcastin “Fol me Anila Hoxhën” ka qenë prokurorja Sonila Muhametaj, ishte e ftuara tjetër, e cila rrëfeu qëndrimin e saj mbi marrëveshjen mes të akuzuarit dhe akuzuesit, që në finale merr fuqi vetëm po e pranoi gjykata.
Anila Hoxha: Gjatë raportimeve në gjyqësor më ka mbetur në mend, një çift bashkëshortësh të cilët kishin vjedhur produkte ushqimore në zonën e Kombinatit, me pretendimin se kishin fëmijë të vegjël. Ishin pa ndihmë sociale edhe gjyqtari penal i Gjykatës së Tiranës urdhëroi lirimin e tyre dhe shpalljen të pafajshëm. Edhe një rast tjetër, të një të riu në zonën e Alliasit, i cili vodhi një ëmbëlsirë në një furrë bukë dhe pronari e kishte parë shpesh që merrte nga sirtarët, produktet e dyqanit. Gjykata në fund vendosi pafajësinë e tij. Ju keni raste të tilla, që thoni provat janë, mund të duken të diskutueshme apo jo.
Sonila Muhametaj: Më kujtohet një rast kur dikush kishte vjedhur 10 çokollata dhe materiali ishte përcjellë në prokurori, madje dhe ishte arrestuar. Në fakt, ajo konsiderohet vjedhje, në kuptimin e plotë të figurës së veprës penale. Megjithatë, që tek masa e sigurimit, unë e pashë të arsyeshme që personi të hetohej në gjendje të lirë, pra nëpërmjet një masë më të butë që është ajo e “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe jo me “arrest me burg”, për shkak se ishte hera e parë e atij personi. Ajo që më dhembi realisht ose më bëri përshtypje ishte fakti që tha “unë kisha datëlindjen e nipit dhe nuk kisha se me çfarë të qerasja shokët e vet dhe u detyrova të kryeja këtë veprim”. U detyrova të bëja veprimet, të kryeja të gjithë hetimet, normal siç ishte për të kryer dhe për t’a përcjellë dosjen në gjykatë dhe për të marrë edhe një masë dënimi, kuptohet që ne i dhamë një alternative.
Anila Hoxha: E përgjithshmja është që ke kryer një krim shkon në burg, kjo ndodh në fakt…
Sonila Muhametaj: Nuk është zgjidhje burgu, gjithmonë.