Prokuroria Speciale e Kosovës sot njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Prokuroria i ngarkon të dyshuarit me inicialet S.S dhe M.S. me një sërë akuzash si, vrasje, keqtrajtime fizike e psikike, si dhe plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore të viteve 1998-1999, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprat penale, krimi i luftës kundër popullsisë civile, tha prokuroria në një njoftim për media.
Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth këtij rasti e as rreth dy të dyshuarve. Kjo është aktakuza e katërt e ngritur në dy muajt e fundit për krime lufte në Kosovë. Dhjetorin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë mbi 13 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.