Aktualitet Bota

Prokuroria franceze kërkon 5 vite burg për Marine Le Pen!

Prokuroria e Parisit ka kërkuar një dënim prej 5 vitesh burg dhe një gjobë prej 300 mijë eurosh për Marine Le Pen, lideren e partisë nacionaliste franceze “Tubimi Kombëtar”. Dënimi i kërkuar përfshin gjithashtu një ndalim të mundësisë së Le Pen për të mbajtur poste të larta shtetërore për disa vite, duke e bërë të pamundur kandidimin e saj për presidente në zgjedhjet e 2027-ës. Kjo kërkesë vjen pas një hetimi të gjatë mbi abuzimet me fondet e Parlamentit Europian.

Le Pen dhe 24 bashkëpunëtorë të tjerë të saj, përfshirë zyrtarë të partisë, punonjës, ish-deputetë dhe asistentë parlamentarë, akuzohen se kanë përdorur në mënyrë të jashtëligjshme fonde të Parlamentit Europian për të financuar stafin e partisë në Francë. Ky grupim politik, i njohur si “Fronti Kombëtar” para vitit 2018, thuhet se ka shkaktuar një dëm prej 3.5 milionë euro për Parlamentin Europian.

Sipas akuzave, përdorimi i fondeve për qëllime partiake përbën një shkelje të rregullave të transparencës dhe etikës financiare të BE-së. Ky hetim ka shkaktuar një debat të gjerë në Francë, ku Le Pen dhe mbështetësit e saj e quajnë këtë proces një “luftë politike”. Ata mohojnë akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe si një tentativë për të dëmtuar imazhin e partisë dhe figurës së Le Pen.

Gjyqi për këtë çështje është ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë më 27 Nëntor, duke lënë hapur mundësinë që vendimi përfundimtar të ketë ndikime të mëdha në karrierën politike të Marine Le Pen dhe të partisë së saj.