Aktualitet

Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim ish-kreun e Urdhrit të Stomatologut!

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim me akuzën për “Shpërdorim detyre”, ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda. Sipas njoftimi zyrtar, Deda akuzohet për shpërdorim detyre.

Hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal të këtij viti, provuan se shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.

Nga hetimi, sipas Prokurorisë,  rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi Nikoll Deda krijoi një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale, qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut në nivel qarku, qoftë për sa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.

“Në shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore dhe parashikimeve ligjore, nëpërmjet strukturave të Urdhrit të Stomatologut, ai vijoi veprimtarinë edhe pse u pezullua nga detyra, duke marrë vendime të rëndësishme si blerjen e një godine në vlerë 700.000 euro me sipërfaqe 350m2 dhe marrjen e një kredie prej 250.000 euro me qëllim ‘blerje ambientesh’”- njofton Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij shtetasi Nikoll Deda ka shkelur vetë qëllimin e ligjit nr.127/2014 i cili është të rregullojë marrëdhënien juridike dhe etiko-profesionale të stomatologëve, si dhe ka krijuar një klimë ‘posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonalë për sa i përket administrimit të buxhetit në nivel qarku apo të pajisjes me licencë të stomatologëve për ushtrim individual profesioni.

“Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së. Sa më sipër, prokuroria vendosi që çështjen ta dërgojë në gjyq pasi akuza dhe fakti janë tërësisht të provuara për krimin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.