Kryetarja demokrate e Komisionit për Integrimin Europian, Jorida Tabaku ka komentuar progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, ku sipas saj ka pasur një mungesë përkushtimi nga ana e qeverisë dhe institucioneve për reformat që duhet të ishin ndërmarrë për integrimin europian. Tabaku tha se Parlamenti ka dështuar për të zbatuar Reformën Zgjedhore sipas sugjerimeve të OSBE-ODIHR/it.
Ky dështim ka ardhur si mungesë e vullnetit politik të qeverisë për të adresuar të gjitha problematikat për 11 vite, me një reformë që do t’i kishte bërë nder parlamentit, por që fatkeqësisht mungon. Progres-raporti zbulon se nuk janë respektuar në tre raste vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu, Tabaku vuri në dukje se dokumenti “tregon një shtet të kapur nga interesat private”.
Shqipëria ka ndërtuar një shtet të kapur nga interesa të ngushta private. Progres-raporti thekson shqetësimet për sulmet ndaj institucioneve që kontrollojnë financat publike.
Ndër të tjera, deputetja e Partisë Demokratike u shpreh edhe se në progres-raport nënvizohet “përkeqësimi i lirisë së medias”, si dhe u ndal te korrupsioni.
Korrupsioni dhe kapja e tregut. Ka shqetësime që lidhen me koncesionet publike, mungesën e mekanizmave për investimet e huaja e të një kuadri ligjor serioz, keqpërdorimin e burimeve natyrore.
Tabaku e përmbylli fjalën e saj duke nënvizuar se “Shqipëria ka nevojë për një proces integrimi që do të sjellë ndryshime pozitive për qytetarët shqiptarë”.
Shqipëria ka nevojë për t’i përmbushur këto angazhime. Janë të gjithë elementët për të cilët opozita është duke protestuar. Shpresoj që raportin ta kthejnë në plan pune. Kemi nevojë për proces integrimi që t’i vërë fre largimit që është kthyer në shqetësimin kryesor. Kemi nevojë për një proces integrimi që të ndryshojë jetën e shqiptarëve. Shpresoj që të reflektojë kush ka për të marrë vendime, u shpreh Jorida Tabaku.