Pak javë nga mbyllja e mandatit 5-vjeçar, Komisioni Europian (KE) do të miratojë dhe bëjë publike paketën vjetore të zgjerimit e raportet e progresit për vendet e përfshira në proces. Kjo do të jetë paketa e fundit që miratohet nga përbërja aktuale e Komisionit e pritet të ndodhë në takimin e Kolegjit të KE-së, më 30 tetor në Bruksel. Plani ishte që dokumentet të miratoheshin më 16 tetor, por u shtynë për dy javë, për shkak të disa rrethanave.
Kur përmendej 16 tetori për miratimin e Paketës së Zgjerimit, besohej se Komisioni i ri Europian do të ishte gati të niste mandatin më 1 nëntor. Por seancat dëgjimore e votimi i kandidatëve për eurokomisionerë u shtynë për në dy javët e para të nëntorit, ndaj Komisioni i ri nuk do të jetë gati para 1 dhjetorit.
Pritet që kësaj here, progres-raportet të theksojnë një lloj përparimi për të gjitha vendet kandidate dhe për Kosovën si të vetmen “kandidate potenciale”.
Komisioni synon të jetë objektiv në vlerësimin e gjendjes reale të vendeve, si të mos tregohet shumë kritik ndaj tyre, që të shmangë mundësinë që ndonjë vend anëtar i BE-së t’i përdorë këto dokumente për të penguar përparimin e procesit. Në pjesën politike të dokumentit strategjik për Zgjerimin do të nënvizohen arritjet kryesore në vitin e fundit.
Vendimi i Këshillit Europian i dhjetorit 2023 për të hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, më pas vendimi me kusht për të çelur bisedimet edhe me Bosnjë-Hercegovinën, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë. Po ashtu, Mali i Zi shënoi një hap përpara me miratimin e raportit kalimtar për përmbushjen e kritereve nga Kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit.
Vetëm disa ditë para miratimit të Raportit të ri të Progresit, vendi ynë hapi grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Një arritje në raportet mes BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Planit për Rritje e Reforma.
Eshtë fjala për një paketë 6 miliardë euroshe, nga të cilat 2 miliardë janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Paketa synon të ndihmohen vendet e rajonit që të përgatiten për përparimin drejt integrimit në BE. Pjesa që do të kërkojë më shumë nga vendet e rajonit në këto progres-raporte ka të bëjë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat e administratës publike.