Bota

Profili e rrugëtimi i Liz Truss-it, kryeministres së re të Britanisë së Madhe!

Liz Truss sot fitoi besimin e konservatorëve britanikë dhe nga nesër përgatitet të jetë kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, duke zëvendësuar të dorëhequrin Boris Johnson, në kabinetin e të cilit shërbeu si kryediplomate. Por, nga vjen dhe çfarë e bëri të dallohet?

Mary Elizabeth Truss lindi në Oksford, më 26 korrik 1975 dhe studioi në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 1996 iu bashkua Partisë Konservatore e prej 2010-ës është pjesë e Parlamentit britanik. Ndonëse mbështetëse e qëndrimit në Bashkimin Europian, u bë e preferuara e krahut të djathtë të konservatorëve pro BREXIT. Pasi votuesit i thanë “JO” Unionit, Liz kuptoi se BREXIT-i ishte një mundësi për t’i dhënë një “shkundje mënyrës si funksionojnë gjërat”.

Dikur aktiviste e liberal-demokratëve e që në vitet ‘80 marshonte kundër kryeministres së kohës Margaret Thatcher, tani nuk e fsheh simpatinë për “gruan e hekurt”.

Analistët nuk kanë dyshime se ajo nuk ishte mes emrave të preferuar të konservatorëve, për t’i besuar drejtimin e partisë e më tej të qeverisë, por premtimet për t’u rikthyer te vlerat themelore konservatore, duke shkurtuar taksat e ristruktuar ekonominë tregoi se anëtarët e Partisë Konservatore, që kishin dhe fjalën e fundit, pikërisht këtë donin të dëgjonin.

Edhe diçka tjetër: si ministre e Punëve të Jashtme, 47-vjeçarja zgjodhi t’i qëndrojë besnike Boris Johnson-it, ndryshe nga shumë ministra që e braktisën. Veprimi i shtoi pikë edhe mes mbështetësve të kryeministrit të dorëhequr. Tory-t shohin te Liz Truss një person të palëkundur, këmbëngulës e të vendosur, cilësi të admiruara te Margaret Thatcher e Truss është përpjekur ta kultivojë këtë imazh. Të njëjtin opinion kanë për të edhe familjarë e miq, që tipareve të Liz-it i shtojnë edhe ambicien.

Në fund të studimeve të larta, kalimi i Truss-it drejt konservatorizmit thuhet se shokoi edhe vetë prindërit e saj të majtë, por se në kujtimet e moshatarëve të cituar nga media, gjithçka erdhi natyrshëm për gruan e përfshirë edhe në fushën për dekriminalizimin e kanabisit.

Ndërkohë, ky kalim dhe e shkuara “e dyshimtë” ia vështirësoi punën për të bindur konservatorët se është një prej tyre, por më në fund, duket se ia doli. Tani pritet të shihet përgjigjja konkrete ndaj premtimit kryesor të fushatës, për të shkurtuar taksat e luftuar rritjen e çmimit të energjisë në Britaninë e mbërthyer nga kriza e rritjes së kostove të jetesës. Ajo që vjen më pas do të përcaktojë punën e Liz Truss-it si kryeministre dhe shanset për të fituar një mandat të vetin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.