“Në Kuadër të Dashurisë”, prodhim i Top Channel Film dhe Nilor Film Production ka thyer rekorde në të gjitha kinematë brenda dhe jashtë vendit ku është transmetuar. Suksesi vetëm rritet dita ditës, teksa premierat shtohen në vendet kudo ku ka shqiptarë në botë, duke u bërë një hap gjigand për Top Channel Films dhe për kinematografinë në tërësi.
Në një diskutim në në “Top Story” për epokën e re të filmit shqiptar, producenti i Nilor Film, Ols Abazi u shpreh se ky është një moment i mirë për kinematografinë. Janë të gjitha kushtet për të çuar më lart filmin shqiptar, u shpreh ai.
Nëse në Shqipëri dikush do të prodhonte një gjë me lekët e veta, ose do të kishte iniciativën për të prodhuar një produkt, artistik, kinematografik, me lekët e veta para 10 vitesh ishte një utopi. Pra, ose do të merrje lekë nga qendra, ose nuk do të prodhoje dot. Sot, ne përfaqësojmë një grup njerëzish që duan ta çojnë përpara këtë gjë. Ky është thelbi. Është momenti më i mirë i ëndrrës tonë dhe të atyre që duan të shohin prodhime shqiptare. Ky është momenti për mua.
Ndërsa regjisori, Koloreto Cukali, theksoi rëndësinë e zgjedhjes së aktorëve të mirë, bashkë me produksionet e arrira.
Ky produksion i mirë, duhet martuar me artistët e mirë. Në një vend si Shqipëria, një artist është shumë e vështirë të bëhet vetë. Artisti duhet kultivuar dhe duhet rritur. Pastaj hyjnë paratë e shtetit. Shteti duhet të investojë me seriozitet.