Aktualitet Politikë

Prodhimi i armëve, drafti me procedurë të përshpejtuar në Kuvend!

Në seancën e sotme plenare u vendos futja e projektligjit për “Prodhimin e armëve” me procedurë të përshpejtuar, në punimet e Kuvendit. Shqyrtimi i draftit “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, hartuar nga Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosurave do të bëhet me 25 korrik.

Votimi për futjen e ligjit më procedurë të përshpejtuar solli debate me maxhorancës dhe opozitës. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se ndryshimet p”o bëhen pas kërkesës së një operatori”.

Ligji i armëve u ndryshua para dy muajsh sepse një operator që merrej me shpërndarje kërkoi që në listë të futeshin dy lloje të ndryshme armësh e municionesh. Para dy muajsh, i gjithë Parlamenti e ndryshoi ligjin me këtë kërkesë, komisionet u mblodhën brenda ditës. Po ky ligj është ndryshuar para 6 muajsh. Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve që nuk u ndryshua nga një operator tjetër që e ka kërkuar këtë?

U mblodh parlamenti sepse një ofrues që shiste armë kërkoi ndryshimin e listës. Tani po kërkoni të mblidhet sërish parlamenti. Si mund të mblidhemi me kërkesë të një operatori? Kush janë arsyet që nuk u ndryshuan dot para dy muajsh e po kërkohet të ndryshohet tani? Ky është një ligj jo i thjeshtë, ka debat dhe prek shumë interesa, është i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Ndërsa deputeti i PS-së, Toni Gogu tha:

Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar që t’i kërkojë parlamentit një procedurë të përshpejtuar. Eshtë sjellë një projektligj i ri. Do të keni gjithë kohën që të denonconi në komisione. Sot ne vendosim. Tani na mbetet të gjithë neve ta votojmë. Vazhdojmë me votimin!

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj:

Nuk bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për armët”, është një ligj i ri. Jo më kot e kërkova për rregullimin e prodhimit, tregtimit dhe zhvillimit të armëve. Nuk ka të bëjë me ligjin për armët. Eshtë projektligj i ri. Jemi të qartë edhe me procedurën që na imponon rregullorja. Ka të drejtë Këshilli i Ministrave të paraqesë një kërkesë të tillë. Komisioni përgjegjës për këtë projektligj do të jete Komisioni për Sigurinë Kombëtare. Shqyrtimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik.