Aktualitet

Prodhim e shitje narkotikësh, GJKKO-ja dënon me 7.6 vite burg Endi Braçajn!

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO dënoi me 7 vite e 6 muaj burg duke e shpallur fajtor për prodhim e shitje të narkotikëve shtetasin Endi Braçaj.  Por, nga gjykimi i shkurtuar, Braçaj do të qëndrojë vetëm 5 vjet në burg pasi i ulet 1/3-ta e dënimit me heqje lirie. Ndërkaq u shpall i pafajshëm për grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi zyrtar: 

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 29.01.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: gjykimin në themel të çështjes penale Nr.53 Regj. Them., në ngarkim të të pandehurit Endi Braçaj, akuzuar për veprat penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Paulin Çera, Marçela Shehu, Gentian Marku, me vendimin Nr. 34, datë 22.05.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

3. Në aplikim të nenit 406 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Endi Braçaj, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite burgim.

4. Vuajta e dënimit i fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, në mungesë të tij ose vendimit gjyqësorë të formës së prerë.