Aktualitet

Procesi i Berlinit, Scholz: BE-ja e kompletuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor!

“Bashkimi Europian është i kompletuar vetëm me shtetet e Ballkanit Perëndimor”. Kjo u deklarua sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz duke prezantuar procedurat e samitit të Ballkanit, në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.

E ardhmja është në Europë.

Scholz përgëzoi Kosovën për suksesin e saj në CEFTA dhe i bëri thirrje Serbisë e Kosovës që të kapërcejnë dallimet për të ardhmen e tyre europiane. Po ashtu, vlerësoi progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.

Dëshiroj ta përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes CEFTA është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal.

Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që lehtësojnë jetesën e njerëzve në rajon.

Ne do të firmosim dy dokumente që do të lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan i ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësimin e studimeve, të cilat do të zgjerojnë lëvizshmërinë e studentëve.

Në fund të fjalës së tij, kancelari Scholz theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe vlerësoi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen e bashkëpunimin.

Eshtë një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për të rënë dakord. Në mënyrë paqësore, kjo është ajo që ka të bëjë me Procesin e Berlinit. Do të vazhdoj të qëndroj personalisht pranë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i mbështes në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani me ftesë të Scholz-it dhe merr pjesë në Samitin e 10-të të Procesit të Berlinit. Në rrjetet sociale, ndau momente nga një panel teksa bisedonte me Scholz-in.

Me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, në këtë samit marrin pjesë drejtuesit e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, të përfshira në proces. Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari Scholz dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

I organizuar prej 2014-ës, Procesi i Berlinit nuk ka strukturë fikse, pra një mekanizëm qendror koordinues dhe mbahet në vende të ndryshme. Ndër vite, takimet janë zhvilluar në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan. Nuk ka as mekanizëm ndëshkues. Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit ndihmon Ballkanin Perëndimor dhe qytetarët e tij të jenë më afër me njëri-tjetrin”.