Aktualitet

Procesi i Berlinit/ Nënshkruhet marrëveshja nga 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor!

Është nënshkruar marrëveshja e shumëpritur në Samitin e Procesit të Berlinit, me rastin e 10-vjetorit, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nën kujdesin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryekomisioneres së BE, Ursula von der Leyen, 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor u rreshtuan në tavolinën ovale për të firmosur marrëveshjen, mes tyre i pari edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ky moment historik pati edhe një episod interesant dhe gati gazmor. Pikërisht në momentin që kryeministri Edi Rama hidhte firmën e tij në dokument, me nënshkrimin karakteristik, kancelari gjerman Scholz nuk ia ka ndarë sytë dhe në fund e ka shoqëruar me një të qeshur, duke kthyer kokën edhe nga kryekomisonerja Von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz priti sot në Kancelarinë Federale kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit  kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.

Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.

Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale. Scholz theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përballuar sfidat ekonomike dhe sociale.

Kancelari njoftoi nënshkrimin e dy dokumenteve të rëndësishme që do ta lehtësojnë jetën e njerëzve në rajon:

“Ne do të nënshkruajmë dy dokumente që do ta lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për aksesin në mundësitë e studimit, e cila do të zgjerojë mobilitetin e studentëve.”

Në fjalimin e tij, Scholz iu referua gjithashtu tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të mos e shohin të kaluarën si një pengesë për të ardhmen evropiane. “Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ende ndikohet nga konfliktet e së kaluarës”, tha ai.

“Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt të ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës.”

Scholz theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura më parë është çelësi për një integrim të suksesshëm në Evropë.

 “Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë.”

Në përfundim të fjalës së tij, kancelari theksoi rolin e Procesit të Berlinit si një platformë për zgjidhjen e konflikteve dypalëshe dhe lavdëroi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqen dhe bashkëpunimin.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi. Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t’u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit.”