Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP miratoi rregulloren, e cila parashikon bashkimin e procedimeve disiplinore në rastet kur një prokuror dhe një gjyqtar, janë të përfshirë në të njëjtën shkelje disiplinore. Vendimi i këtij këshilli u mor në mënyrë unanime gjatë mbledhjes së zhvilluar sot e ku po ashtu ishin të pranishëm 9 anëtarët e KLP-së, si dhe përfaqësues të projektit “EU 4 Justice”.
Me propozimin e Komisionit të Disiplinës, pas një pune të gjatë të bërë nga ky komision, së bashku me ndihmën e ekspertëve të projektit “EU 4 Justice”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me votë unanime rregulloren “Për bashkimin e procedimeve disiplinore në rastet kur një prokuror dhe një gjyqtar, janë të përfshirë në të njëjtën shkelje disiplinore”, referuar njoftimit nga KLP-ja.
Në bazë të kësaj rregulloreje, një prokuror dhe një gjyqtar do të konsiderohen të përfshirë në të njëjtën shkelje disiplinore kur, duke u mbështetur në të njëjtat fakte, ata kryejnë të njëjtën shkelje ose një shkelje të ngjashme që, për shkak të natyrës së saj, mund të konsiderohet ekuivalente, duke marrë parasysh pozicionet dhe përgjegjësitë profesionale të ndryshme të personave të përfshirë. Gjatë kësaj mbledhjeje Këshilli vendosi unanimisht edhe miratimin e dy Caktimeve të Përkohshme, vijon njoftimi zyrtar.
Po ashtu, gjatë mbledhjes së KLP-së, u vendos që Petrit Çano të mund të ushtrojë përkohësisht funksionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër ndërsa Ermira Manelli, të caktohet përkohësisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan.