Bota Rajoni Tech

Problemet kibernetike në botë prekin Kosovën!

“Crowdstrike” u shpreh se problemet e sotme kibernetike në nivel global janë pasojë e një “defekti” gjatë përditësimit të një sistemi të saj. Kjo kompani krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike. “Crowdstrike” bëri të ditur se është duke punuar vazhdimisht me konsumatorët.

Sistemet Mac dhe Linux nuk janë prekur. Ky nuk është problem i sigurisë apo sulm kibernetik. Anomalia u identifikua, izolua dhe po punohet me të, siç njoftoi kompania përmes një deklarate.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë linja të mëdha ajrore i anuluan fluturimet, duke cituar probleme me komunikim teksa të tjera kompani mediatike, banka dhe spitale në shumë vende të botës, kanë raportuar probleme të ndryshme me sistemet kompjuterike e se po i pamundësohet puna.

Në Kosovë, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), bëri të ditur se prej mëngjesit është duke hasur në vështirësi në kryerjen e punëve për shkak të rënies së sistemit kompjuterik. Ndërkaq,  përmendi se problemet e saj lidhen me avarinë që kanë raportuar shumë kompani në botë, lidhur me “Crowdstrike”.

Disa qytetarë në Kosovë i thanë Radios Evropa e Lirë se sot rreth orës 09:45, nuk kanë arritur të tërheqin para në disa banka të vendit. Por më vonë, rreth orës 12:00, bankomatet funksionuan. Njësia Nacionale për Sigurinë Kibernetike, organ shtetëror për ruajtjen e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Kosovë vuri në dukje se incidenti shkakton probleme gjatë ristartimit të sistemit operativ Microsoft Windows.

Në rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat ‘C-00000291*.sys’ nga direktoriumi ‘C\Windows\System32\drivers\CrowdStrike’ në Save Mode, deklaroi ky organ përmes një postimi në Facebook.

Në rajon u prek edhe Kroacia, krahas Kosovës. Tregjet botërore të aksioneve po bien ndjeshëm edhe për shkak të ndërprerjeve të mëdha.

Indekset e bursave të Londrës dhe Milanos nuk treguan normë ndryshimi në orën e zakonshme të hapjes në orën 07:00 GMT, por filluan të tregtoheshin rreth 20 minuta më vonë.

Rreth orës 07:40 GMT, Londra ra me 0.79%, Parisi me 0.73%, Frankfurti me 0.86% dhe Milano me 0.77%. Operatori i Bursës së Londrës, grupi LSE, tregon në faqen e tij të internetit se po heton “probleme teknike” që prekin sistemin e tij të shpërndarjes së informacionit.

Fraport, operatori i aeroportit të Frankfurtit, gjithashtu humbi 2.19%. Në Tokio, indeksi Nikkei ra me 0.16%. Hong Kongu ra ndjeshëm me 2.06%, ndërsa Shangai fitoi 0.17%.

Ndërkohë, asnjë zgjidhje konkrete për të mbështetur ekonominë e vendit nuk doli nga takimi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (CPC), i mbajtur këtë javë. Frika për sektorin e gjysmëpërçuesve, me kufizime të reja të mundshme të SHBA-ve kundër Kinës, gjithashtu vazhdoi të rëndonte në tregje. Aksionet e kompanive në këtë sektor ranë sot në Azi dhe indeksi Hang Seng në Hong Kong u ngadalësua nga një rënie e përgjithshme në sektorin e teknologjisë.