Aktualitet Bota Tech

Problemet globale me Microsoft, Aeroporti i Rinasit: Të paprekur/Edhe sistemet bankare, funksionale!

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit, (TIA) nuk është prekur nga problemet e sotme kompjuterike në nivel global. TIA konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale e jo të cënuara nga goditja e sistemeve kompjuterike në botë.

Por, nisur nga ndërprerjet në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet. Rekomandohet që pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit.

Në një njoftim zyrtar thuhet: 

Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA. Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës. TIA mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

Po ashtu ka raportime se edhe Banka e Shqipërisë e bankat në vend, nuk po hasin në probleme bllokuese e operojnë normalisht.

Por, pse ndodhi kaosi global me ndërprerjen e internetit? 

Të dhënat e para tregojnë se ndodhi për shkak të një gabimi në përditësimin e një softueri. Dështimi i përditësimit të një agjenti të softuerit po shkakton dështime të internetit në shkallë të gjerë ndaj nuk kemi të bëjmë me një sulm të hackerave. Të paktën, kjo është ajo që mësohet nga burime të informuara. Problemi ka të bëjë me softuerin e sigurisë kibernetike “Crowdstrike”, i përdorur nga shumë kompani dhe administrata, i cili, për shkak të një gabimi në konfigurim, nuk po përditësohet siç duhet.

Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e përplasjeve në hostet e Windows në lidhje me sensorin Falcon dhe ekipet tona teknike po punojnë në mënyrë aktive për të zgjidhur këtë problem, shkroi “Crowdstrike” në një alarm që konfirmoi ndërprerjen që nga ora 01:30 minuta.

Falcon Sensor nga “CrowdStrike” është softuer i krijuar për të parandaluar sulmet kibernetike. Një përditësim i tij çoi në rrëzim të kompjuterave në mbarë botën, duke shkaktuar dhe përplasje në platformat Windows. Kompjuterë të shumtë janë jashtë funksionit e kanë shfaqur një ekran blu pa mundur që të rifillojnë.