E ftuar në emisionin “S’e Kam Me Ty” ditën e sotme ka qenë Besmira Shpendi. E specializuar në krijimin e produkteve kozmetike organike ajo ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me profesionin e saj dhe jo vetëm…
Si ka nisur për të e gjithë kjo eksperiencë?
Nuk është se ka qenë dëshira ime më e madhe të bëhem farmaciste, thjesht jam rritur në familje me idenë që unë do të bëhem doktoresha e shtëpisë. Ëndrra ime kur kam qenë e vogël ka qenë të bëhem gjykatëse që nuk ka lidhje fare me atë çfarë unë bëj sot por unë kam mbaruar universitetin për Farmaci dhe gjatë punës sime në banak, vija re shumë problematika apo njerëz me probleme të ndryshme dhe pa zgjidhje. Aty nisi pastaj çdo gjë. Mendova që të krijoj diçka ndryshe, duke përdorur fillimisht tek vetja disa produkte organike. Mbaj mend që produkti i parë që kemi formuluar në farmaci ka qenë një krem anti-rrudhë me shea butter.
Unë vërtet jam specializuar në Angli për produktet organike, për përgatitjen e tyre pa u shkëputur nga profesioni i farmacistit që është kryesisht trajtimi i gjendjeve të ndryshme të lëkurës, duke u marrë më tepër me trajtimet sesa me pjesën kozmetike.
Çfarë ka menduar Besmira që mund të jetë një ide e cila mund të bëjë bujë dhe të ketë sukses?
Unë jam natyrë që nuk më pëlqen shumë monotonia dua të dal nga përditshmëria. Kjo ide ka ardhur natyrshëm nuk është se ishte e projektuar në mendjen time që unë do të krijoj një brand timin ose një linjë timen. Nuk ishte e thjeshtë që të sjellësh diçka ndryshe në tregun farmaceutik ka vështirësitë e veta. Nëse ke prioritet pacientin çdo gjë do të shkojë mirë.
Pse zgjodhi të studionte në Angli? A mendon Besmira se Shqipëria është vendi i duhur për të realizuar ëndrrat nëse ke një synim?
Sepse në Shqipëri nuk ofrohet si mundësi specializimi i produkteve organike apo përgatitjeve organike. Nuk mund të them kurrësesi që Shqipëria nuk është vendi i duhur, sepse këtu kam nisur unë dhe shumë të tjerë. Nëse ke ambicien, idenë e qartë dhe vizionin mund ta mbjellësh ëndrrën edhe në tokë të thatë.
Kjo gjë a kërkon shumë investim?
Investim do patjetër, investim në kohë dhe para. Nuk është e thënë që çdo gjë do të jetë perfekte që në fillim mund ta nisësh me diçka fare të vogël. Thjesht të jenë këmbëngulës.
Duke qenë se fokusi i Besmrës është që t’i japë zgjidhje problematikave, sidomos tek vajzat cilat janë më të shpeshtat dhe specifike?
Problematikat më të shpeshta janë ekzemat, dermatitet sidomos tek fëmijët e vegjël, melasma, njollat kafe, aknet, tharje ekstreme të lëkurës, myku i thonjve dhe në këmbë. Janë shumë problematika të ndyrshme. Sot ka shumë informacion ndoshta ndonjëherë aq shumë sa që është edhe i gabuar por janë ndërgjegjësuar.