Aktualitet Politikë Rajoni

Pritshmëri në BE për Shqipërinë: Në dhjetor mund të hapë disa kapituj në negociatat e anëtarësimit!

Përmes një letre ishte Hungaria që njoftoi se vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord njëzëri për të hapur kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, më 15 tetor, pra muajin e ardhshëm. Budapesti mban presidencën gjashtëmujore të Unionit deri në fund të vitit e për në këtë datë ka thirrur të ashtuquajturën Konferencë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë ku pritet të hapet ky kapitull.

Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e këtij kapitulli, i cili ka të bëjë me të drejtat themelore.

Sipas metodologjisë së re të procesit të Zgjerimit të BE-së, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit duhet të hapen në fillim, pasi në procesin e negociatave duhet të ketë më shumë kohë për t’i përmbushur kriteret e për t’i mbyllur kapitujt.

Ky është kapitulli i parë nga 33 që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në Union.  Vendimi shënon dhe ndarjen e paketës në të cilën joformalisht ishin së bashku Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Për vite me radhë, njëri prej tyre mbahej peng edhe nëse i kishte përmbushur kushtet, duke pritur vendin tjetër t’i plotësonte. Por, tani Shqipëria do të vazhdojë drejt BE-së e ndarë nga Maqedonia e Veriut, rruga e të cilës vazhdon të jetë e bllokuar.

Formalisht, Zgjerimi është proces i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në përmbushjen e kushteve, por nga aspekti politik, ndonjëherë, në BE duan që më shumë vende të përparojnë në të njëjtën kohë.

Vendet anëtare në BE nuk kanë arritur dakordësi për hapjen e kapitujve të parë me Maqedoninë e Veriut, pasi qeveria e re e këtij vendi nuk ka lëvizur drejt përmbushjes së kushtit lidhur me marrëdhëniet e saj me Bullgarinë, një vend anëtar i Bllokut, me disa çështje të hapura me Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë pakicën bullgare si popull shtetformues. Pasi së shpejti në Bullgari pritet të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, diplomatët në BE janë të mendimit se nuk ka shumë mundësi që Bullgaria të heqë dorë nga kundërshtimi i saj.

Në BE thonë se tani, Shqipëria ka gjasa të mëdha të lëvizë përpara e në dhjetor mund të hapë edhe disa kapituj.