Art & Kulturë Live From Tirana

“Pritja” – poezi nga Ismail Kadare në “Live From Tirana”!

Në studion e “Live From Tirana” është diskutuar më tepër mbi veprat e Ismail Kadare. Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha. Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën një shtyllë të letërsisë shqipe. Për nder të tij, në studion e “Live From Tirana” janë sjellë disa nga poezitë e tij më të njohura. Një ndër to është “Pritja”, e cila u recitua nga Jerida Sakaj.

Pritja

Telefoni po merr një sy gjumë para ardhjes sate
Abazhuret varen të heshtur mbi pritjen
Përbindëshat mbi qilimin e dhomës dremitin të qetë

Ora kaloi
Ti u vonove
Drita e abazhureve u bë e keqe
Si i vrarë telefoni ka rënë përmbys e s’merr frymë
Tani përbindëshat filluan të lëvizin
Ja, po zgjohen me leshra të kërleshura mbi qilim

Ti do vish patjetër të qetësosh gjithçka.