Tech

Pritet që së shpejti Facebook të ndalojë reklamat politike!

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, po shqyrton ndalimin e reklamave politike nga platforma e saj në Evropë. Kjo pasi kompania nuk do të mund të respektojë tre ligjet e fushatës në BE. Në Bruksel janë duke u propozuar një sërë rregullash për platforma të mëdha si Facebook dhe Google, të cilat do t’i detyrojnë kompanitë që të zbulojnë informacione rreth reklamave politike, si për shembull sa kushtojnë, kush ka paguar për to dhe sa përdorues i kanë parë.

Zyrtarët e Meta-s, kanë reaguar të shqetësuar rreth këtyre ndryshimeve. Ata janë veçanërisht të interesuar se sa i gjerë do të jetë qëllimi i termit “reklamim politik” dhe sa e vështirë do të jetë për platformën që t’u përmbahet rregullave. Në këtë kontekst Meta po shqyrton nëse është më e lehtë të refuzohen të gjitha reklamat politike për të mos shkelur rregullat e BE-së.

Ndikimi në të ardhurat e kompanisë nuk do të jetë i konsiderueshëm sepse reklamat politike sjellin relativisht pak të ardhura. Meta dhe Twitter, ndër të tjera, janë kritikuar për lehtësinë me të cilën përdoruesit e tyre përhapin informacione të pavërteta dhe teori konspirative, duke manipuluar votuesit.

Rikujtojmë, se Meta, ka njoftuar se do të shkurtojë 10,000 vende pune. Kjo vjen disa muaj pasi gjigandi i teknologjisë pushoi nga puna 11,000 punonjës në nëntor 2022 . Shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg tha se shkurtimet do të ishin “të vështira” dhe ishin pjesë e një “viti të efikasitetit”. Përveç humbjes së 10,000 vendeve të punës, 5,000 role të hapura në kompani do të mbeten të paplotësuara.