Aktualitet Politikë

Pritet arrestimi, Ervin Salianji: Nuk do t’ia dalin kurrë të na mbyllin gojën!

Pasi dje nga Apeli u rikonfirmua dënimi i Shkallës së Parë i dhjetorit 2019 me 1 vit burg për Ervin Salianjin, për kallëzim të rremë në çështjen Babale, pritet arrestimi i deputetit demokrat. Prokuroria e Tiranës dërgoi shkresën në Kuvend. Ndërkaq, në një mesazh rreth mesdite, Salianji tha se po bëhen gati të zbatojnë atë që e quajti “urdhrin e Ramës për të më izoluar”, por se siç theksoi “nuk do ia dalin të na mbyllin gojën”.

Të dashur miq!

Jam mirënjohës pa fund nga mbështetja juaj, nga solidariteti me praninë, me telefonatat e mesazhet.

Ky është një moment i vështirë për shtetin e së drejtës e sundimin e ligjit, për demokracinë, për të gjithë ata, mijëra burra e gra, të rinj e të reja me të cilët kemi bërë një udhëtim pa kushte në këto vite të vështira të përballjes me qeverisjen e keqe, arbitrare, të dhunshme, të korruptuar, të lidhur me krimin.

Po duhet t’ju them se asgjë, asgjë nuk është mbyllur. Është një përpjekje e ulët nën brez e tyre, që nuk do na ndalojë, nuk do na shkurajojë në përpjekjen tonë të madhe për një Shqipëri më të mirë.

Teksa sot po bëhen gati të zbatojnë urdhrin e Edi Ramës, vendimin e tij për të më izoluar, dhe të çojnë deri në fund përndjekjen politike, ata kurrë nuk do ja dalin të vendosin si normë se denoncimi i krimit, qenka faj.

Nuk do ja dalin kurrë ta vendosin rend, heshtjen e mbylljen e gojës. Dhe për këtë garancia e madhe jeni ju, demokratët e guximshëm, qytetarêt e lirë që më keni mbështetur në gjithë këto vite.

E vërteta do na bëjë më të mirë. Dhe e vërteta që po sulmohet, po goditet, po burgoset sot është se Edi Rama është produkt i krimit i bandave.

Sepse bëri Ministër të Brendshëm hetuesin e komunizmit dhe lidhjen mes bandave dhe tij, sepse përdori çdo institucion për ta mbrojtur e manipuluar çështjen. Sepse korrupsioni është i shtrirë ngado. Sepse me para të pista e me banditë ai blen vota e ruan pushtetit.

E vërteta është se asnjë qeveri nuk ja del të qëndrojë gjithnjë në këto themele të kalbura.

Të dashur miq!

Do të jemi bashkë çdo ditë dhe më të fortë. Do të jemi bashkë shumë shpejt e do punojmë me zemër e përkushtim për ta hequr këtë të keqe që i ka zëne rrugën vendit. Dhe do ja dalim.

Falenderime

Më herët, grupi demokrat i kërkoi kryeparlamentares Spiropali mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve për Salianjin. Por, kërkesa nuk u pranua. Nga ana tjetër, pas interesimit lidhur me vendimin e djeshëm ndaj Ervin Salianjit, Gjykata e Apelit njoftoi se “u mor në unanimitet”.

Në një tjetër zhvillim, më herët në mëngjes, Ervin Salianji takoi Flamur Nokën, Gazment Bardhin e Agron Gjekmarkajn, siç mësohet nga burime të selisë blu, “në kuadër të përgatitjeve për të kallëzuar penalisht Fatmir Xhafën.”  Deputeti Salianji do të kërkojë hetim pasuror ndaj ish-ministrit Xhafa, mbi pretendimet se ka dhënë prona shtetërore për disa ndërtues.

Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Penale vendosi 1 vit burg për Salianjin, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim, por ai nuk u arrestua për të bërë burg, pasi u hetua në gjendje të lirë. Ndërkohë, Albert Veliu i njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, me 6 muaj, dënim i zëvendësuar me 100 orë pune. Ata u shpallën fajtorë për “Kallëzim të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Ndërkaq, reagoi dhe kryeministri Rama.