Së fundmi biznesmeni i njohur Elon Musk e ka mohuar se përpjekjet e tij për ta blerë rrjetin social Twitter janë si rezultat i bisedave me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Sipas medieve të huaja ky mohim vjen pas spekulimeve të përhapura se bllokimi i ish-presidentit amerikan nga platforma është pjesë e arsyes që Musk dëshiron ta kontrollojë këtë rrjet social.
Musk po i përgjigjej në mënyrë specifike një raporti nga New York Post, që pretendonte se Trump e kishte “inkurajuar në heshtje” atë për ta blerë kompaninë e madhe të rrjetit social Twitter. Raportoi citonte shefin ekzekutiv të Truth Social, rrjeti social shumë më i vogël në të cilin tani poston Trump. Në një përgjigje në Twitter, Musk jo vetëm që hodhi poshtë raportin, por tha se ai nuk kishte folur me Trump-in për blerjen e platformës.
Ndonëse ai nuk e mohoi që ish-Presidenti mund të lejohej të rikthehej në platformë, ai tërhoqi vëmendjen te fakti se ai është zotuar të vazhdojë të postojë vetëm në Truth Social.
Theksojmë gjithashtu se megjithëse platforma sociale e quajtur “Truth” u njoftua si rikthimi i Donald Trump në mediat sociale, shërbimi doli të ishte një dështim i madh. Trump zbuloi se do të krijonte rrjetin e tij social në tetor të vitit 2021, pasi iu ndalua të shprehte pikëpamjet e tij në Twitter dhe rrjete të tjera që e ndaluan. Rrjeti social “Truth” u prezantua më 21 shkurt të këtij viti, por jo pa probleme.
Rrjeti social aktualisht është në telashe të mëdha, pasi të paktën një milion e gjysmë përdorues nuk mund të hyjnë në aplikacionin që kanë shkarkuar. Përveç kësaj, aplikacioni nuk është i disponueshëm për telefonat Android, nuk ka asnjë version në web dhe nuk është i disponueshëm për shumicën e njerëzve jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.