Rajoni

Prishtina zyrtare konfirmon mbërritjen në Kosovë të trupit të pajetë të Faton Hajrizit!

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, MPJD në Prishtinë bëri të ditur se ka shkuar në Kosovë trupi i pajetë i shtetasit Faton Hajrizi, i cili u vra në Lloznicë të Serbisë. Në njoftimin zyrtar në “Facebook” ky institucion thekson:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.

Një ditë më parë, MPJD-ja bëri të ditur se Prokuroria e Qarkut të Beogradit dha leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Hajrizit, siç kërkuan familjarët. Ky institucion deklaroi se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koçi, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, si dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryenin procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u dërguar në Kosovë.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik. Më herët, më 6 korrik, ai ishte arratisur nga një burg në Kosovë dhe u dyshua për vrasjen e një polici kufitar serb e plagosjen e një tjetri, në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Muajin e kaluar, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se agresori u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe ishin në kërkim të tij që nga vrasja e efektivit. Fatoni qëndronte i fshehur buzë lumit Drina duke tentuar një mënyrë për ta kaluar.

Serbia kërkoi që Gjermania të ekstradonte vëllanë e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes u gjetën dokumente në emër të tij. Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar në Serbi me dokumentet e vëllait. Ky i fundit, Artan Hajrizi u paraqit para autoriteteve në Gjermani ku jeton e tha se vëllai, Fatoni i mori pa leje pasaportën në Gjermani. Por, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në shtetin gjerman.