Rajoni

Prishtina zyrtare e quan arbitrar arrestimin e shtetasit kosovar nga Serbia!

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) reagoi duke e dënuar si “arbitrar” arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe një ditë më parë e bëri të  ditur se bashkësisë ndërkombëtare i kërkoi që të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një njoftim për media, MPJD-ja vuri në dukje se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën (dje) për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Fillimisht, ishte Ministria e Brendshme e Serbisë që një ditë më parë njoftoi për media në lidhje me arrestimin e Mustafës.  Zv.kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha se shtetasi Tefik Mustafa u prangos në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Përmes ministrisë, Prishtina zyrtare theksoi se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës e njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

Po ashtu, iu drejtua me një thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb “për këto veprime arbitrare e destruktive”, për të cilat shprehet se “bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Ndër të tjera, MPJD-ja shtoi se zyrtarisht do të kërkojë nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari që të mund ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet atij nga organet serbe”.

Lidhur me arrestimin e Tefik Mustafës, MPJD-ja deklaroi se menjëherë njoftoi vendet e QUINT-it në Kosovë, si dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Britanisë së Madhe. Po ashtu, të shteteve tjera në Beograd. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.