Rajoni

Prishtina: Raporti i Borrellit pritet të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën!

Zv.kryeministri Besnik Bislimi tha se raporti i kryediplomatit  europian, Josep Borrell për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së “do të rekomandojë heqjen e masave” ndëshkuese për Kosovën. Borrellit iu kërkua një raport i tillë nga vendet anëtare, në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që vendit t’i hiqen masat ndëshkuese.

Duke raportuar para Komisionit për Integrime Europiane në Prishtinë, Bislimi theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por pati hezitime” për dorëzimin e tij.

Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën. Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur në ndërtesat e komunave, Prishtina dërgoi kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Ndër masat e BE-së është pezullimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova nuk po merr ftesë në aktivitetet e nivelit të lartë dhe vizitat janë pezulluar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu është pezulluar programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024-ës (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës përfitojnë momentalisht janë të ndalura.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar. Serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave, por sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.