Rajoni

Prishtina: Pati kërkesa nga shtetet anëtare të BE-së për koncesione shtesë ndaj Kosovës!

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian pati kërkesa për koncesione shtesë, që kanë shkuar përtej masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës vitin e kaluar.

Por, natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim, tha Bislimi gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Integrime Europiane. Kërkesa të tilla, të cilat janë bërë në vazhdimësi nga shtetet anëtare, por jo direkt nga Brukseli, tregojnë se Kosova ka pasur më së paku faj për vendosjen e këtyre masave.

Deklarata e Bislimit vjen pasi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dorëzoi një raport te shtetet anëtare të Unionit. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se në këtë raport, Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese.

Bislimi tha se shtetet anëtare të bllokut evropian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nuk ka qenë “e drejtë”.

Brenda BE-së ka shtete që mendojnë se mënyra se si janë vendosur këto masa ndëshkuese ka qenë shkelje e procedurave ligjore brenda BE-së dhe ka të tillë, të cilët kanë iniciuar kërkesa brenda Komisionit Europian për të verifikuar ligjshmërinë. Për shembull, një ekspert shqiptar në Gjermani i cili është duke shkëmbyer mesazhe dhe shkresa me KE-në për të parë a është e shëndosh baza ligjore mbi të cilën janë marrë këto vendime.

Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, tha se masat u vendosën për shkak të trazirave të majit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Arsyeja pse Kosovës i janë vendosur masat lidhen me 26 dhe 29 maj për të cilat është thënë shumë herë se dihet origjina e këtyre trazirave. Origjina e këtyre trazirave është në Beograd, por duke qenë se ato kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, masat janë vendosur për Kosovën. Masat janë joproporcionale. Nga Kosova kërkohet diçka e cila nuk kontribuon asgjë në deeskalim, për shembull në një kohë kur protestojnë në Zveçan, kërkesa e BE-së ishte që të zhvendoset kryetari i Komunës në Leposaviç. Nuk kishte kurrfarë ndërlidhje mes kërkesës dhe eskalimit në terren. Çka është më e rëndësishme, masat kanë qenë të përkohshme dhe të kthyeshme pas deeskalimit.