Aktualitet

Prezantohet sistemi i ri i karrierës dhe zhvillimit profesional të mësuesve!

Ministria e arsimit vlerëson mbështetjen ndaj mësuesit si prioritetin kryesor në sistemin arsimor.  Gjatë konferencës kombëtare me arsimtarë e partner ndërkombëtarë  këtë të mërkurë, në vijim të politikave shpërblyese ndaj mësuesve, u prezantua  sistemi i ri i karrierës dhe risia e planit të zhvillimit profesional të mësuesve.

“Ne besojmë se një sistem arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës duhet të fokusohet fort në investimin te mësuesit. Mbështetja jonë për mësuesit është një prioritet absolut jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në zhvillimin profesional dhe meritokracinë në sistemin arsimor”, thotë Manastirliu.

Ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu zbërtheu planin e ri të zhvillimit profesional dhe karrierës së mësuesve të përbërë me tre shtylla kryesore,  që ndikon në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Ajo shton: “Sistemi i ri i shkallëve të kualifikimit të mësuesve do të jetë tashmë i orientuar tek mësuesit në vitet e para të karrierës. Mësuesit të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në 3 vitet e para të karrierës së tyre. Kemi ulur kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi. Mundësojmë që për herë të parë, në 3 vitet e para të karrierës së mësuesve, përfitimi i kësaj grade të jetë me dy elemente: Me një test të informatizuar dhe gjithashtu me orë mësimore. E dyta është shkalla e kualifikimit për ‘Mësues specialist’, të cilat do të jenë në vitin e 8 të punës së mësuesit, ku do të kemi orën e hapur kurrikulare, pra orë mësimore për projekte që do të japin këtë kualifikim tek mësuesit. Në vitin e 15-të kemi kategorinë e ‘Mësuesit Mjeshtër’, ku do të vijojnë trajnimi dhe edukimi në vazhdim, orët e hapura kurrikulare dhe inovacionin për përfitimin e kësaj shkalle të kualifikimit. Kemi rritur dhe masën e shpërblimit për të tre këto kategori, duke filluar nga shkalla e kualifikimit që është ‘Mësuesi i kualifikuar’ dhe shkalla e dytë ‘Mësuesit specialist’ ku masa e shpërblimit dyfishohet, dhe për të vijuar te shkalla e tretë ‘Mësuesi Mjeshtër’ ku masa e shpërblimit rritet me 50%”.

Rritja e pagave që prej datës 1 korrik për 30 mijë mësues me mesatarisht 950 euro në muaj do të reflektohet në punën ndaj nxënësve, siguron ministrja Manastirliu, teksa deklaron zgjerimin e strukturës arsimore me dy role të reja të mësuesve. Mësuesi koordinator për vlerësimin e cilësisë dhe mësuesi koordinator për orientimin e karrierës.