Në Ministrinë e Brendshme sot u zhvillua ceremonia për prezantimin e 12 drejtorëve të rinj vendorë të Policisë së Shtetit. Pas fazës së konkurrimit, të aplikuar për herë të parë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, tha se “i kalojmë stafetën një brez i ri oficerësh me përvojë dhe integritet”.
Kemi 12 drejtues të rinj të policisë dalë nga konkurrim ku morën pjesë 43 konkurrentë që përfaqësojnë një gjeneratë të re oficerësh që pas një eksperiencë të krijuar që nga shkalla e parë e karrierës mbajnë sot barrën e drejtimit të uniformave në 12 drejtoritë e policisë në qarqe.
Teksa bëri prezantimin, ministri nënvizoi se drejtuesit që sot marrin detyrën janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe integritetin.
Për ta u bë një qëmtim i veçantë, në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese.
Duke u ndalur te detyrat e drejtuesve të rinj të policisë në qarqe, ministri Hoxha tha se duhet të ketë një hov zhvillimor nga ana teknologjike.
Modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm, Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike e të inteligjencës digjitale. Duhet të shpenzohen fonde të veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht nga zvarritjet e burimeve njerëzore të papërshtatshme për të kryer këtë mision dhe detyra.
Sipas Hoxhës, drejtuesit e rinj duhet t’i kushtojnë një vëmendje shumë të veçante projekteve invoative, për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar e goditur kriminalitetin.
Duhet një vullnet i palëkundur për vetëpastrim nga radhët e Policisë së Shtetit.
Drejtuesve të rinj të policisë, ministri iu kërkoi të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, si edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre duke i trajtuar me seriozitet e paanshmëri.
12 drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit në Qarqe
Drejtuesi i policisë së Tiranës, Elton Alushi
Drejtuesi i policisë së Durrësit, Vilson Bala
Drejtuesi i policisë së Fierit, Skënder Hitaj
Drejtuesi i policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha
Drejtuesi i policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj
Drejtuesi i policisë së Korçës, Erion Ahmeti
Drejtuesi i policisë së Vlorës, Elidon Çela
Drejtuesi i policisë së Lezhës, Altin Mena
Drejtuesi i policisë së Gjirokastrës, Altin Merizaj
Drejtuesi i policisë së Beratit, Luigj Vathi
Drejtuesi i policisë së Kukësit, Gentian Berberi
Drejtuesi i policisë së Dibrës, Artion Duka